AlbanianSport.com 16/02/2021 13:10
ASNN – Me pak fat këtë herë, por edhe meritat që ka arritur deri më tani nuk mund të mohohen, sepse Asllan Karatsev është kualifikuar në gjysmë-finale të Australian Open pasi mundi Grigor Dimitrovin. 27-vjeçari arriti të mundë Dimitrovin 3-1 me sete (2-6, 6-4, 6-1, 6-2) pas dy orë e gjysmë lojë. Tenisti bullgar u dorëzua në fund të setit të katërt për shkak të dhimbjeve në shpinë.
Rusi Karatsev, numri 114 në botë është lojtari i parë që arrin në turin e parafundit të një turneu madhor, që njihen ndryshe si “Grend Slem”, si një tenist që merr pjesë për herë të parë në një turne të hapur që nga viti 1968. Tek femrat, Naomi Osaka mundi 2-0 Su-Yei Hsiehun, duke u kualifikuar midis katër më të mirave në një “Grend Slem” për herë të 4-t.
23-vjeçarja Osaka, e mundi lehtësisht 35 vjeçaren nga Tajvani për 66 minuta lojë, 2-0 me sete (6-2, 6-2). Tashmë fituesja në fuqi e “Australian Open” do të përballet në gjysmëfinale me Serena Uilliamsin. Për tenisten amerikane duket më pranë realizimi i ëndrrës për të fituar “Grend Slem”-in e 24-t në karrierë. Nga ana e saj, në çerekfinale, Uilliamsi ka mundur Simona Halepin me një lojë të shhkëlqyer.
Tenistes amerikane i kanë mjaftuar 81 minuta lojë për të siguruar fitoren në dy sete, që patën të njëjtin rezultat 6-3.