AlbanianSport.com 31/08/2019 14:30
ASNN – Novak Gjokoviçi vazhdon rrugëtimin e tij në Turneun e Hapur Amerikan të Tenisit (US Open 2019). Tenisti serb ka mundur amerikanin Denis Kudla 3-0, e në çerekfinale do të ndeshet me Vavrinkën. Për më tej kualifikohen edhe Federer e Medvedevi, ndërsa për femra, edhe Svitolina, Kijs dhe Serena Uilliams. Dihej që tenisti serb kishte probleme në shpatullën e majtë, gjë që kishte vënë në dyshim edhe vazhdimësinë e tij në turneun amerikan.
Por Novak Gjokoviçi ka luajtur sipas mënyrës së tij, duke përballuar në mënyrën më të mirë të mundshme, amerikanin Denis Kudla. Numri 1 në botë ka fituar 3-0, me sete 6-3, 6-4 e 6-2, për 2 orë e 5 minuta, duke fituar mjaft kohë për të pushuar për ndeshjen e radhës. Në turin e 16-shes së “US Open”, i mbiquajturi “Nole” do të ndeshet me Sten Vavrinkën. Më i vështirë ka qenë kalimi i turit nga Danil Medvedevi. Atij i janë dashur 3 orë e 22 minuta lojë, e 4 sete për të mundur Felisiano Lopezin.
I veçantë ka qenë reagimi tenistit rus gjatë gjithë ndeshjes teksa është kapur me të gjithë. Me djemtë që japin topat, me raketën, me publikun e deri me gjyqtarin. Shumë e lehtë ka qenë ndërkaq fitorja për Rozher Federerin. Numri 3 në botë fiton pa vështirësi ndaj britanikut Daniel Evans, nr. 47 në renditjen botërore. 3-0 me sete (6-2, 6-2, 6-1) është rezultati dhe zvicerani kalon kështu në çerekfinalet e turneut amerikan, ku do të përballet me belgun David Gofin.
Eliminohet nga US Open japonezi Kei Nishikori, numri 8 në botë. Tek femrat, Elina Svitolina, ka fituar 2-0 me sete (6-2, 6-0) për më pak se një orë lojë, ndaj bashkëkombëses së saj, Dajana Jastremska. Sfida tjetër midis dy ruseve, ka përfunduar me fitoren e Madison Kijs ndaj Sofia Kenin. Sfida ka qenë më e luftuar dhe mbyllet 6-3, 7-5 në një orë e 22 minuta. Në çerekfinalet e “US Open” kanë kaluar edhe Karolina Pliskova e Petra Martiçi.
Kjo e fundit do të ndeshet me Serena Williams, që ka mundur me lehtësi në dy sete (6-3, 6-2) tenisten çeke Karolina Muçova.