AlbanianSport.com 29/01/2021 23:10
ASNN – Novak Gjokoviçi nuk është paraqitur në setin e parë të ndeshjes miqësore që duhet të luante me Sinerin, përpara nisjes së Turneut të Hapur të Australisë, “Australian Open 2021”. Tenisti serb ka ndjerë dhimbje në dorën që mban raketën. Gjokoviçi nuk ka dhënë ende asnjë deklaratë nëse mund të luajë apo jo në këtë turne. Kështu, numri një në botë, Novak Gjokoviçi luajti vetëm një nga dy setet e planifikuara në ndeshjen e tij të hapjes së sezonit.
Të premten ai u shfaq në fushë, teksa ka ndjerë dhimbje në pëllëmbën e dorës që mbante raketën. Fituesi i 17 turneve madhorë, që njihen ndryshe si “Grend Slem”-e, nuk u paraqit në setin e parë kundër të riut italian, Janik Siner, në një ndeshje miqësore në Adelaide, vetëm disa orë pasi doli nga karantina dy-javore. Në vendin e tij luajti bashkëkombasi i tij, Filip Krajinoviç. Por para një publiku të konsiderueshëm në “Memorial Drive”, Gjokoviçi tha se nuk mund të qëndronte larg fushës dhe erdhi në setin e dytë.
“Më vjen keq që nuk shkela në fushë që nga fillimi, por unë duhej të bëja një trajtim me fiziterapistin tim, pasi nuk ndjehesha mirë dy ditët e fundit”,- tha fituesi në fuqi i “Australian Open”, pasi fitoi setin që luajti, me rezultatin 6-3. “Unë nuk e dija se si do të reagoja, por doja të luaja, doja të dilja këtu para jush”, – shtoi ai. Gjokoviçi tha se kishte dhimbje, por mendonte se nuk do ta pengonte në lojë. “Nuk është e lehtë, por është pjesë e asaj që bëjmë, – ka theksuar ai. – Ne jemi tenistë profesionistë, e mësojmë me kalimin e viteve të luajmë me dhimbjen.”
“Por pyetja është nëse dhimbja është e durueshme apo jo, – vijoi tenisti serb. – Duke ardhur nga një periudhë e vështirë stërvitjeje në prag të “Australian Open 2021”, nuk do të dëshiroja të rrezikoja shumë. Por emocioni ishte aq i fortë tek unë për të dalë në fushë, duke parë tribuna pothuajse të mbushura, saqë i rezistova dëshirës për të luajtur.” Në fushat stërvitore të kompleksit në Adelaide, kanë dalë edhe Serena Uilliamsi, Naomi Osaka, Rafael Nadali, Dominik Tim, numri një në botë i femrave, Eshli Barti, dhe Simona Halepi.