Përshtati: Gjergj Vyshka 16.03.2016 18:00
Ish-tenisti dhe zyrtari i Federatës Shqiptare të Tenisit: “Dy gjërat që mungojnë më shumë janë infrastruktura dhe personat që të angazhohen më shumë me tenisin, mbi të gjitha trajnerët. Nëse këto dy gjëra do të përmirësohen atëherë do të mund të kërkohet të bëhet diçka e mirë duke parë që talentet nuk mungojnë.” Një faqe italiane në internet www.spaziotennis.com, por dhe gazetari Stefano Berlinçioni kanë qenë të interesuar për situatën e tenisit në Shqipëri.
Turnetë ndërkombëtar që organizohen në vendin tonë për moshat 14, 16 dhe 18 vjeç, por dhe e gjithë situata e këtij sporti në Shqipëri, me të mirat dhe të këqijat e veta, ka ardhur nëpërmjet intervistës së Genci Çakshirit, një mik i tenistëve italian. “Kam njohur Genci Çakshirin nëpërmjet forumeve të tenisit për meshkuj dhe miqësia jonë është e madhe prej vitesh”, – ka thënë Berlinçioni në intervistën e tij me Çakshirin, të cilën e ka botuar të plotë dhe e përditshmja sportive shqiptare “Sport Ekspres”.
“Duke parë rolin e tij në brendësi të Federatës Shqiptare të Tenisit, por dhe raportin e tij të ngushtë e të afërt me Italinë mendova se do të ishte shumë interesante të njihmin historinë e tij si tenist”, – ka shtuar italiani. Një intervistë e bërë më 11 mars, ose më saktë katër ditë më parë, sepse tenisi, një sport dikur i quajtur aristokrat e revizionist, i ndaluar si boksi, u rilind pas viteve 1990. Këtë intervistë AlbanianSport.com ju solli në dy pjesë, dje dhe sot dhe sot është pjesa e dytë.
…vijon nga dje
– Edhe ti ke qenë një lojtar, cila ka qenë eksperienca jote?
– Unë kam filluar të luaj tenis 14 vjeç, pra shumë vonë për të kërkuar për të bërë karrierë. Por në atë kohë nuk kishte shumë lojtarë, ndaj edhe jam bërë një nga më të mirët tek të rinjtë dhe kam luajtur edhe në ndonjë turne ndërkombëtar (me rezultate pesimiste normalisht). Në nivelin kombëtar, edhe pse shumë lojtarë të zot janë larguar dhe kanë shkuar të studiojnë jashtë, kam arritur të bëhem kampion kombëtar për disa vite rresht. Në të njëjtën kohë kam filluar të stërvis dhe fëmijët, mbi të gjitha moshat deri në 14 dhe 16 vjeç. Nuk kam luajtur kurrë në turne të mëdha, por kam luajtur dy herë në Universiada, Izmir 2005 dhe Bangkok 2007. Në Bangkok, falë edhe një shorti shumë të mirë, kam arritur në turin e tretë dhe kam humbur ndaj Pavel Shekov, 6-1 dhe 6-1, që në atë kohë ishte në mes 400 të parëve në renditjen e profesionistëve. Dhe kur thuajse nuk luaja më kam marrë pjesë edhe në debutimin e Shqipërisë në Kupën Dejvis në 2010-ën, duke luajtur në lojën dyshe, ndërsa isha krejtësisht jashtë formës.
– Si keni nisur ta luani tenisin?
– E kam parë tenisin që përpara viteve 1990 dhe vetëm në 1996 kam filluar të stërvitem me trajnerin Fatos Nallbani, që tani është kapiteni në Kupën Dejvis dhe është personi më i rëndësishëm që merret me të rinjtë. Kam marrë leksione vetëm për dy vjet dhe pastaj për probleme financiare jam tërhequr. Por kam vazhduar të stërvitem me miqtë e mi deri më 2000 kur jam bërë ndihmëstrajner. Që nga 2000 deri në 2008-ën kam punuar pranë klubit të Tenisit Tirana dhe kam bërë ndonjë kurs për trajner. Kam marrë certifikatën e nivelit të dytë të Federatës Botërore të Tenisit, por nuk e kam vazhduar atë punë, sepse ka qenë sekondare për mua. Si profesion jam mjek. Tani jam sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Tenisit dhe organizoj turnetë ndërkombëtar. Madje që nga 2003 e deri më 2013-ën kam qenë komentatori i tenisit për disa kanale shqiptare.
– Midis Italisë dhe Shqipërisë ka pasur gjithnjë një raport të veçantë, na ndihmoni të largojmë disa mite…
– Në Itali tashmë e njohim shumë mirë Shqipërinë edhe nga ardhja e shumë emigrantëve tek ju në vitet e kaluara. Besoj që përshtypja e parë, ajo e emigrantëve që vdisnin urie e që vinin me anije, do të ketë qenë shumë i vështirë për të ndryshuar. Por tani shumë prej jush kanë pasur mundësinë për të parë se si ka ndryshuar Shqipëria. Tani ndoshta janë më shumë italianët që vijnë në Shqipëri për të hapur një punishte, apo një fabrikë, se sa shqiptarët që vijnë për të punuar në Itali. Në vende më të largëta besojnë që ne jemi një popull sllav duke parë që jemi të rrethuar nga sllavët. Edhe në filmin “Terminal” me Tom Henks në fund është një taksist që prezantohet si Goran (emër tipik sllav) nga Shqipëria. Në fund shqiptarët janë parë si një popull tërësisht mysliman. Por përpara pushtimit otoman shqiptarët ishin katolik ose pagan dhe pastaj shumica janë konvertuar në mysliman për të pasur një jetë më të mirë gjatë perandorisë osmane. Edhe pse në statistika myslimanët prezantohen në pjesën më të madhe të themi të drejtën vetëm një përqindje e vogël është me të vërtetë myslimane.
– Së fundi, si ka mundësi që e dini kaq mirë italishten?
– Para rënies së komunizmit këtu ishte vetëm një televizion kombëtar, pastaj kanë nisur të kapin frekuencat e shumicës së televizioneve italiane dhe atje mund të shihnim filmat, sportin dhe spektaklet në italisht. Për këtë aryse ka një gjeneratë të tërë që e ka mësuar italishten nga televizori. Unë kam pasur fatin që të flas italisht gjatë këtyre viteve, sepse vetëm me të dëgjuar është e vështirë të kesh sigurinë e duhur për të bërë një bisedë dhe të shkruash është akoma më e vështirë.