Gjergj Vyshka 23.01.2016 13:55
Rozher Federer vijon rrugëtimin e tij drejt titullit të 18-të në karrierë në turnetë e mëdha të tenisit. Tenisti zviceran u kualifikua për në turin e katërt të Turneut të Hapur “Australian Open 2016” në Mëlburn, pasi mposhti Grigor Dimitrovin me rezultatin 3-1, duke shënuar në të njëjtën kohë edhe fitoren e tij të 300-të në turnetë madhorë të tenisit.
Federer ishte superior ndaj tenistit bullgar pothuajse gjatë gjithë ndeshjes, me përjashtim të setit të dytë të sfidës që u fitua 6-3 nga Dimitrov. Për sa u përket seteve të tjerë, Federer i fitoi me lehtësi 6-4, 6-1 dhe 6-4. U kualifikua për në turin e katërt të turneut australian edhe francezi Vilfried Tsonga, i cili eliminoi bashkëkombasin e tij Herbert, me shifrat 3-0.
Për femra, Maria Sharapova e pati shumë të vështirë suksesin ndaj amerikanes Loren Dejvis. Tenistja ruse dominoi setin e parë, të cilin e mbylli 6-1, por në të dytin amerikania iu kundërpërgjigj mjaft mirë ish-numrit 1 të botës, duke e fituar atë 7-6, për ta çuar sfidën në set final. Në këtë fraksion të lojës Sharapova shfaqi sërish superioritetin e saj dhe nuk i la asnjë opsion kundërshtares, për ta fituar atë 6-0 dhe krejt sfidën 2-1.
U kualifikua për më tej edhe zvicerania Bencic, e cila eliminoi ukrainasen Bondarenko, duke e mundur 2-1. Po kështu dhe Xhokoviçi, i cili ka eliminuar italianin Sepi. Turneu i Melbërnit përfundon më 31 janar.