AlbanianSport.com 04/01/2022 19:25
ASNN – Serbi ka marrë leje të veçantë për të marrë pjesë edhe pse i pavaksinuar. Numri 1 i renditjes botërore, Novak Gjokoviç, ka deklaruar se ai do ta mbrojë titullin e kampionit në turneun australian të tenisit, “Australian Open”, që nis në gjysmën e dytë të këtij muaji, pasi ka marrë një leje mjekësore për të mos qenë i vaksinuar. Në fakt, të gjithë lojtarët dhe personeli gjatë turneut australian duhet të jenë të vaksinuar ose të kenë një leje të miratuar nga një panel i pavarur ekspertësh.
Gjokoviç, fitues 9 herë i “Australian Open”, nuk ka folur asnjëherë publikisht sa u përket statusit të tij të vaksinimit. Turneu u hapur australian i tenisit nis në Melbërn më 17 janar 2022. “Kam kaluar kohë me të vërterë fantastike me të dashurit e mi gjatë pushimit dimëror dhe sot do të udhëtoj drejt Australisë me një leje të veçantë”, – ka bërë të ditur 34-vjeçari të martën, në një postim në profilin e tij në rrjetin social “Instagram”.
“Le ta nisim 2022-shin… Jam gati të jetoj dhe të marr frymë me tenisin gjatë këtyre javëve të ardhshme të turneut”, – ka shtuar ai. Në fillim të kësaj jave, kreu i “Australian Open”, Kreig Tajli, bëri të ditur se disa tenistë të pavaksinuar kanë marrë leje të veçantë për të luajtur në atë që njihet ndryshe si turneu i parë madhor apo “Grend Slem”-i i parë i këtij viti. Gjokoviçi ishte tërhequr nga skuadra përfaqësuese e Serbisë në Kupën “ATP” në Sidnej, çka kishte ngritur dyshime mbi pjesëmarrjen e tij në “Melbërn Park”.
Ai ka triumfuar në 3 edicionet e fundit të “Australian Open”, dhe tashmë është barazuar në numrin e turneve madhorë të fituar, plot 20, po aq sa ka edhe Rozher Federer, që mungon në turneun e fillimvitit për shkak të një dëmtimi, dhe Rafael Nadalin, që do të marrë pjesë.