AlbanianSport.com 24/06/2020 14:55
ASNN – Tre muaj me vonesë, virusi korona trondit botën e tenisit profesionist. Pas Grigor Dimitrovit e Borna Çoriçit edhe Viktor Troicki kanë deklaruar pozitivitetin e tij me “Covid-19”. Të tre kanë marrë pjesë në “Adria Tour”, turneun që organizoi Novak Gjokoviçi në Serbi e Kroaci, i kritikuar nga të gjithë, pasi aty nuk ishte marrë asnjë masë anti-“Covid-19”.
Përveç tre lojtarëve, edhe Marco Paniçi, përgatitësi atletik i Gjokoviçit dhe Kristijan Groh, trajneri i Dimitrovit, kanë dalë pozitiv me virusin korona. Një situatë shumë e rrezikshme kjo, e cila e detyroi Gjokoviçin dhe stafin e tij të fluturojnë në Beograd për të kryer testin. “Është mirë, nuk ka simptoma, por duhet të kryejë testin e më pas të shohim se çfarë do të ndodhë”, – ka thënë zëdhënësi i tenistit serb.
Ndërkohë, më vonë është mësuar se edhe vetë serbi ka rezultuar pozitiv me koronavirus. Ky është lajmi i fundit nga bota e sportit dhe tashmë e pëson një sportist elitar i tenisit. Numri një në botë e ka konfirmuar diçka të tillë. Përveç tij, edhe bashkëshortja, Jelena ka dalë pozitive pas testit dhe tashmë të dy do të duhet të izolohen sipas rregullave të përcaktuara nga autoritet shëndetësore në Serbi.
Për fat më mirë, fëmijët e tyre kanë dalë negativë. Përveç turneut “Adria Tour”, Gjokoviçi bëri edhe një seri grumbullimesh të tjera, duke luajtur basketboll e futboll në Beograd e Zara, në Kroaci në këtë fundjavë. Ai kishte zgjedhur këtë mënyrë për të larguar frikën nga virusi korona dhe për të rinisur tenisin, pas 3 muajsh pushimi nga pandemia.
Edhe kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç, ishte midis spektatorëve, ndaj edhe ai i është nënshtruar testit. Ndërsa dy tenistët e tjerë, pjesëmarrës në turne, Dominik Tim dhe Aleksandër Zverev, kanë deklaruar se janë vetëizoluar, edhe pse kanë rezultuar negativ në testin e parë të tamponit. Përveç tenistëve, i infektuar ka rezultuar edhe një basketbollist serb i NBA-së, që është takuar së fundmi me Gjokoviçin.