AlbanianSport.com 28/10/2018 18:55
ASNN – Frigoriferë të hapur dhe jo të mbyllur me çelësa. Provëza të braktisura në tavolina me modulet tashmë të përcaktuara me datat përkatëse. Asnjë laborant përgjegjës nuk është aty. Kjo është ajo që ka xhiruar televizioni gjerman “ARD” me anë të një kamera të fshehur, në një nga dhomat e antidopingut gjatë Lojërave Dimërore të Pjongçengut. Një dokument tronditës që hedh hije dyshimi përsa i përket kontrollit antidoping në Korenë e Jugut pas disfatës në Olimpiadën e mëparshme, në Soçi.
Pra, pas skandalit të dhomave të famshme 124 e 125 në Soçi, në të cilat, nëpërmjet një vrime që ishte hapur në mur, provëzat e urinës së dopuar kalonin duke u zëvendësuar me të pastra, e më pas ktheheshin në vendet e tyre përkatëse, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) kishte marrë masa drastike me kontrolle e siguri të jashtëzakonshme në Korenë e Jugut e sidomos në laboratorin anti-doping. Premtime që sipas asaj që përcjell televizioni gjerman, duket se nuk janë mbajtur.
Në video duket një nga dhomat që mblidhte provat e urinës së atletëve për kontrollet anti-doping. Aty nuk kishte asnjë person përgjegjës, me frigoriferë të hapur dhe pa çelës dhe me provëzat e braktisura në tavolinë, së bashku me formularët përkatës, të firmosur dhe me përcaktimet e duhura. Raporti i Agjencisë Botërore të Anti-dopingut (WADA), flet për një cilësi të kënaqshme të sigurisë, me përjashtim të ndonjë rasti të veçantë.
Por dëshmitë e sjella nga televizioni gjerman tregojnë për një tjetër të vërtetë. Nga 3100 kontrollet antidoping, vetëm katër sportistë dolën pozitivë: japonezi Kei Saito, slloveni Ziga Jeglic dhe rusët Alexander Krushelnizki e Nadjezhda Sergejeva.