AlbanianSport.com 07.10.2016 10:40
ASNN – Mediat italiane dhe spanjolle i kanë bërë jehonë fitores së Kombëtares në ndeshjen ndaj Lihtenshtejnit si dhe faktit që kuqezinjtë ndodhen në krye të grupit G me 6 pikë të plota. Për Spanjën kjo është një çudi dhe e kanë vlerësuar maksimalisht sfidën me Shqipërinë, e cila luhet të dielën në “Loro Boriçi”.
Kështu, mediat ndërkombëtare i kanë bërë jehonë fitores së Shqipërisë së De Biazit ndaj Lihtenshtejnit, si dhe faktit, që skuadra jonë ndodhet në krye të renditjes së grupit G me 6 pikë të plota pas dy ndeshjeve të para të luajtura. Kuqezinjtë kanë lënë pas Italinë dhe Spanjën dy skuadrat pretendente për t’u kualifikuar për në fazën finale të Botërorit “Rusi 2018”.
Në Itali, prestigjiozja “Gazeta dello Sport”, shkruan në faqen e parë “Shqipëria e De Biazit në krye” si dhe për ndeshjen Itali-Spanjë, “Bufon gabon, De Rosi jo”. Edhe “Tuttosport” ka vlerësuar fitoren e kuqezinjve. Ndërsa në Spanjë, gjigandi mediatik “AS” shkruan: “Shqipëria fiton dhe vazhdon të dominojë grupin e Spanjës”.
Një analizë e veçantë i është kushtuar lojës së kuqezinjve kjo për faktin se të dielën Spanja luan ndaj Shqipërisë. Edhe e përditshmja tjetër sportive spanjolle, “Marca”, e ka quajtur si të çuditshëm faktin se Shqipëria ndodhet në krye të grupit G, ku bën pjesë edhe Spanja.