AlbanianSport.com 16.02.2016 08:55
ASNN – Nëpërmjet një njoftimi në faqen e saj zyrtare në Internet, Federata Shqiptare e Futbollit ka zyrtarizuar oraret e ndeshjeve të kthimit të çerekfinaleve për trofeun e dytë për nga rëndësia në sportin më popullor në vendin tonë.
Sektori i garave në FSHF ka bërë të ditur oraret e sfidave të kthimit të Kupës së Shqipërisë që do të zhvillohen të mërkurën më 17 shkurt. Pas këtij turi do të luhen edhe sfidat gjysmëfinale.
Ato do të përcaktohen me short të lirë dhe do të luhen më 6 prill sfidat e para dhe më 20 prill ndeshjet e kthimit. Teuta do të mbrojë në Kukës një epërsi të brishtë 1-0 në duelin e parë që mori në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit.
Por këtë radhë durrsakët do të kenë fushën kundërshtare si një minus të madh. Vllaznia udhëton drejt Korçës ndërsa vendasit kërkojnë fitoren për t’u kualifikuar pas barazimit 0-0 që i lë llogaritë krejtësisht të hapura.
Edhe Tirana është më pranë kualifikimit me suksesin e parë 0-1 në Vlorë ndaj Flamurtarit, ndërsa sfida e fundit që mbyll fazën çerekfinale është ajo mes Partizanit dhe Laçit.
Kryeqytetasit kërkojnë të zhvlerësojnë fitoren 2-0 të kurbinasve në një ndeshje që nis të mërkurën në orën 17:00. Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar do të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt takimin e orës 13:30, midis Kukësit dhe Teutës.
Kupa e Shqipërisë
Ndeshjet e kthimit të çerekfinaleve:
Të mërkurën:
Kukësi – Teuta (0-1) (13:30)
Skënderbeu – Vllaznia (0-0) (13:30)
Tirana – Flamurtari (1-0) (13:30)
Partizani – Laçi (0-2) (17:00)
Në kllapa është shënuar rezultati i ndeshjes së parë dhe orari i ndeshjes së kthimit.