AlbanianSport.com 21/12/2020 18:10
ASNN – Të martën dhe të mërkurën transmetohen drejtpërdrejt në Rrjetin e RTSH-së të gjitha duelet e çerekfinaleve. Rikthehen transmetimet e mëdha sportive në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar dhe spikat të martën dhe të mërkurën Kupa e Ligës Angleze, e cila ka arritur në fazën e saj çerekfinale. Transmetuesi publik do t’i sjellë për sportdashësit të 4 sfidat që premtojnë spektakël. Një mesjavë e mbushur me emocione futbollit pritet të jetë kjo që na pret, pasi Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar do të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt ndeshjet më të spikatura të dy prej veprimtarive të vendeve kryesore të Evropës, siç është Anglia dhe Gjermania.
Natyrisht, spikat të martën dhe të mërkurën Kupa e Ligës Angleze, e cila ka arritur në fazën e saj çerekfinale dhe transmetuesi publik do t’i sjellë për sportdashësit të 4 sfidat që premtojnë spektakël. Gjithçka do të nisë të martën me përballjen midis të papriturës së kësaj veprimtarie, Brentfordit, që do të presë në fushën e vet Njukasëll Junajtid. Kjo ndeshje do të transmetohet në kanalin RTSH 3 të platformës së Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 18:30. Ndërkaq, po të martën, duke nisur nga ora 21:00, në kanalin RTSH Sport, vjen superdueli Arsenal-Mançester Siti, që janë padyshim dy prej skuadrave që e synojnë këtë trofe.
Të mërkurën luhen dy takimet e tjera që do të vijnë të dyja në kanalin RTSH Sport të platformës së transmetuesit publik. Në përballjen e parë, që nis në ora 18:30, e papritura tjetër e këtyre çerekfinaleve, Stouk Siti sfidon Tohenhemin e trajnerit Zhoze Murinjo, që sigurisht e synon këtë trofe si ngushëllim për një sezon që ka nisur mirë, por është karakterizuar nga luhatje në kampionat. Ndërsa në mbrëmje, duke nisur nga ora 21:00, do të vijë drejtpërdrejt dueli mjaft interesant midis Evertonit dhe Mançester Junajtid, dy skuadrat që hëpërhë ndajnë vendin e 3-të dhe të 4-t.
Për vendasit e trajnerit Karlo Ançeloti, sezoni ka nisur mirë, por më pas ekipi nisi të shkasë poshtë në renditje, ndërsa e kundërta ka ndodhur me “Djajtë e kuq” të homologut Ole Gunnar Solskjaer, të cilët kanë njohur rritje në lojën e tyre dhe, përtej eliminimit nga Liga e Kampioneve, mbeten në luftë për trofe në të gjitha frontet e tjera. Me pak fjalë, fundjava premton emocione që vetëm futbolli anglez mund t’i falë…
Kupa e Ligës Angleze
Çerekfinalet
Të martën, 22/12/2020:
18:30 Brentford – Njukasëll Junajtid
21:00 Arsenal – Mançester Siti
Të mërkurën, 23/12/2020:
18:30 Stouk Siti – Totenhem
21:00 Everton – Mançester Junajtid