AlbanianSport.com 20/02/2024 13:00
ASNN – Kupa e Shqipërisë është futur në fazën më emocionuese, teksa të martën dhe të mërkurën do të luhen takimet e para çerekfinale. Të martën, duke nisur nga ora 13:30, Kukësi do të përballet me Partizanit. Verilindorët nuk po kalojnë një moment aspak të mirë dhe fitoren e fundit e kanë pikërisht në Kupën e Shqipërisë ndaj Elbasanit, aty ku avancuan më tej në çerekfinale.
Në takimin e parë me të kuqtë, Kukësi do të kërkojë të arrijë një rezultat pozitiv për të shpresuar te kualifikimi. Në anën tjetër, Partizani në këtë sfidë vjen me moralin e lartë pas triumfit në derbin e kryeqytetit ndaj Tiranës dhe ndaj Kukësit do të synojë fitoren e radhës. Një takim i fortë është ai midis Teutës dhe Tiranës, që do të luhet në Durrës, duke nisur nga ora 17:00.
Durrsakët u rikthyen te fitorja në sfidën e fundit ndaj Kukësit dhe tani synojnë të bëjnë mirë edhe në Kupën e Shqipërisë. Ndërsa Tirana vjen në këtë sfidë pas humbjes në derbin e kryeqytetit dhe do të kërkojë të rikthehet te fitorja në Stadiumin “Niko Dovana” ndaj Teutës. Ndërkaq, të mërkurën, duke nisur nga ora 13:30, do të luhen dy ndeshjet e tjera çerekfinale të Kupës së Shqipërisë.
Laçi do të përballet me Egnatian. Në shtëpinë e tyre, kurbinasit do të synojnë fitoren për të shpresuar më pas te kualifikimi në fazën tjetër. Ndërsa Egnatia po zhvillon një sezon të shkëlqyer dhe synon sërish të fitojë trofeun e Kupës së Shqipërisë. Ndeshja tjetër e së mërkurës është ajo midis Erzenit dhe Vllaznisë. Shijakasit nuk po kalojnë një moment të mirë dhe synojnë të rikthehen te fitorja në Kupën e Shqipërisë.
Ndërsa shkodranët në javët e fundit kanë një ecuri fantastike dhe objektivi i vetëm mbetet kualifikimi në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë.