AlbanianSport.com 06.02.2016 14:20
ASNN – Ky është padyshim njëri prej takimeve më të spikatur të kësaj fundjave futbolli. Skënderbeu nuk ka asnjë fitore për këtë vit dhe të dielën në orën 13:00 do të luajë me Kukësin në ndeshjen e vlefshme për javën e 20-të të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit.
Sikundër është mësuar më herët, përballja do të luhet në Korçë pa praninë e shikuesve, pasi tifozët janë përjashtuar për këtë takim, pas një vendimi të Komisionit të Disiplinës. Nga ana e tij, pas barazimit dhe humbjes me Vllazninë në Kupë dhe në kampionat, trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, kërkon reagim ndaj Kukësit.
“Fitorja do të ishte e rëndësishme edhe pavarësisht rezultateve të arritura në Shkodër”, – ka thënë kryeqytetasi i stolit të korçarëve. Pritet që nga minuta e parë të jetë edhe përforcimi i fundit, nigeriani Xhejms Adeniji. Nga ana e tij, Kukësi e nisi me fitore gjysmën e dytë të kampionatit.
Afrimet e merkatos së janarit dhanë rezultatat dhe trajneri i verilindorëve, Klodian Duro paralajmëron se do të rivalizojë me kundërshtarët deri në fund. “Skënderbeu është kampion absolut i kampionatit shqiptar, por edhe Kukësi është gjithmonë rival deri në javën e fundit”, – ka thënë ish-fubollisti i Kombëtares kuqezi.
Duhet theksuar se Kukësi nuk fiton në Korçë me Skënderbeun prej 2 vitesh e gjysmë.