AlbanianSport.com 07/02/2024 20:00
ASNN – Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s miraton strategjinë e re të UEFA-s 2024-30 “Të bashkuar për sukses”. Organi më i lartë i UEFA-s, Komiteti Ekzekutiv, mbajti të mërkurën mbledhjen e radhës në Paris ku u diskutuan çështje të ndryshme në lidhje me futbollin evropian.
Në këtë mbledhje, ku ishte i pranishëm edhe Zv/Presidenti i Uefa-s, Armand Duka, njëkohësisht edhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv, u miratuan disa vendime të rëndësishme që kanë të bëjnë me strategjinë e organizmit që qeveris futbollin kontinental për periudhën 2024-30, nën moton “Të Bashkuar për Sukses”.
Strategjia ofron një drejtim dhe udhërrëfyes të qartë për të udhëhequr si UEFA-n ashtu edhe komunitetin më të gjerë evropian të futbollit dhe synon të fuqizojë rolin e futbollit në çdo komunitet në të gjithë Evropën, duke ruajtur lidhjen integrale midis futbollit bazë dhe garave elitare.
Ai bazohet në 7 vlera kryesore: Respekti, Barazia, Drejtësia, Hapja, Uniteti, Integriteti dhe Përsosmëria. U miratua edhe sistemi i detajuar i shpërndarjes së të ardhurave në veprimtaritë e UEFA-s për meshkuj, për periudhën 2024-2027. Gjithashtu KE-ja miratoi edhe datën dhe vendin se ku do të mbahet Kongresi i 49-të i zakonshëm i UEFA-s.
Ky Kongres do t’i zhvillojë punimet e radhës në kryeqytetin serb, Beograd, më 3 prill 2025. Po kështu u vendos edhe data dhe vendi për mbledhjen e radhës të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s që do të mbahet në kryeqytetin e Irlandës, Dablin, më 22 maj 2024.