Gjergj Vyshka 23.01.2015 13:05
Murati i Adës dhe Djarmati i Tërbunit, e rrallë kjo për kroatin e pukjanëve, e kanë lënë më përpara se të tjerët fushën e lojës. Sepse gjyqtari Yzeiraj, pasi është konsultuar me njërin nga asistentët e tij, i ka treguar kartonin e kuq. Gjithçka ka ndodhur në minutën e 27-të, atëherë kur një faull i pukjanëve ndaj Hotajt është kthyer në një “mollë sherri” mes lojtarëve.
Djarmati ka penguar e ka tentuar të godasë Muratin, kurse ky i fundit i është kthyer. Në sherr ka ardhur të përfshihet dhe Giljen dhe më pas vetëm me ndërhyrjen e palëve lojtarët janë qetësuar. Kartoni i kuq për të dy futbollistët e tensionit, por dhe karton i verdhë për Giljen. Dhe vetëm në pjesën e dytë, teksa presidenti i Adës, Alfred Pjetri, ka qenë përkrah deputetit të Partisë Kristian Demokrate, Mark Frroku, palët janë në paqe.
Plori ka vendosur që ta nisë pjesën e dytë me zëvendësime, ndërsa Grishi i ka lënë vendin Taulant Markut. Dhe sulmuesi i ri është bërë faktor, sepse ka thyer rezistencën e velipojakëve dhe të portierit Demi në minutën e 53-të. Të njëjtën gjë ka bërë dhe në të 67-tën minutë dhe më pas ka ardhur Greca, i cili ka shndërruar në gol një 11-metërsh për Tërbunin në të 85-tën.
Tre gola, shumë vuajtje, tre pikë dhe tashmë Tërbuni është katër pikë larg Mamurrasit dhe pesë pikë larg Besëlidhjes, kurse rrugëtimi drejt Superiores duket i sigurt për lojtarët e Plorit. Ndonëse shkodrani i stolit pukjan, Elvis Plori, kur kanë mbetur dhe 7 javë deri në përfundim të garës, mendon se skuadra ka nevojë për t’u karikuar dhe shtrënguar.
Gjithsesi ajo që duhet vlerësuar është fakti se Tërbuni, pavarësisht me forca mangët, ka ushtruar presion dhe e ka mbajtur të mbërthyer Adën në zonën e saj të rreptësisë. Përvoja e krijuar nga 15 fitore dhe 3 barazime ka bërë Tërbuni të dijë t’ia dalë edhe atëherë kur duket e pamundur. Dhe fitorja me Adën ka vetëm një emër, Taulant Markun, i kthyer dje në faktor.
Ada Velipojë – Tërbuni 0-3
Shënues: T. Marku 53’, 67’, Greca 85’(11-m.)
Ada Velipojë: Demi, Ibraj, Nikshiqi (Mesi 79’), Zefi, Murati, Hotaj, Kiri, Proda (Hoxha 59’), Arrinaj (Bruci 68’), Pepaj, Rahova. Trajner: K. Krepi
Tërbuni: Giljen, Kaludjeroviç, Lilaj, Grishi (T. Marku 46’), Rroca, Djarmati, Mone (Agastra 73’), Çutra (Danaj 77’), Greca, Lekaj, Mziu. Trajner: E. Plori
Gjyqtarë: O. Yzeiraj, N. Rrapaj, Q. Shehaj (Patos)
Kartonë të verdhë: Nikshiqi, Hotaj, Pepaj, Rahova / Giljen, Lilaj, Agastra
Kartonë të kuq: Murati / Djarmati
Minutat e golave:
53’ Rroca ka gjuajtur fort në ecje e sipër, në një distancë prej rreth 20 metrash nga porta e Adës, Demi ka grushtuar për një çast, por nuk e ka mbërthyer plotësisht topin dhe nga afër ka përfituar T. Marku, i cili ka gjuajtur dhe ka shënuar. (0-1)
67’ Mone, pasi ka shpërthyer nga e majta e sulmit pukjan, ka krosuar për në zonën e rreptësisë së miqve, Marku me kokë ka gjuajtur dhe ka shënuar në krahun e majtë të Demit. (0-2)
85’ Rroca, në një depërtim të tij në zonën e rreptësisë së Adës, është penguar nga mbrojtësi Hotaj dhe gjyqtari Yzeiraj nuk ka hezituar të japë 11-metërsh për Tërbunin, të cilën e ka kthyer në gol Greca, i cili ka shënuar në krahun e majtë të Demit. (0-3)