AlbanianSport.com 11.05.2015 12:30
ASNN – Lacio ka humbur një mundësi të artë për të rimarrë vendin e dytë në renditjen e Serisë A. Humbja 1-2 me Interin e ka nxjerrë pa pikë ekipin kryeqytetas dhe vendimet e gjyqtarit që ka sjellë polemika.
Lacio e mbylli sfidën me 9 futbollistë për shkak të kartonëve të kuq. Pas ndeshjes, Drejtori Sportiv i Lacio, Igli Tare ka kundërshtuar vendimet e gjyqtarit Davide Masa në përballjen me Interin.
“Zakonisht nuk flas për gjyqtarët, por kjo ka qenë një ndeshje e rëndësishme”, – ka deklaruar ish-kapiteni i Kombëtares kuqezi, tashmë Drejtor Sportiv i klubit të Lacios, Igli Tare.
“Goli i parë i Inter duhej anuluar dhe kam shumë dyshime për kartonin e kuq për Marketin, – vijoi ai. – Në një ndeshje të këtij niveli, të vendosësh një gjyqtar të ri si Masa, të kushtëzon edhe nga ana psikologjike.”
Me debate është mbyllur edhe sfida Parma-Napoli. Gonzalo Higuain i ka thënë në fund të takimit portierit Antonio Mirante: “Keni zbritur në Serinë B dhe keni falimentuar”. Kjo sjellje është shoqëruar me deklaratat e ashpra të trajnerit të Parmës, Roberto Donadoni.
“Këta lojtarë kanë hequr dorë nga 75% e pagës së tyre dhe nga ana tjetër të dëgjosh që ju keni falimentuar dhe t’ia falësh fitoren kjo është e turpshme”, – ka deklaruar Roberto Donadoni.
Këto reagime nuk kanë munguar në faqet e para të gazetave sportive në Itali. Seria A ka ende edhe 3 javë për të zhvilluar.