AlbanianSport.com 15/04/2020 19:20
ASNN – Drejtori Sportiv i Lacios, Igli Tare, njihet si administrator i zoti dhe mjaft i suksesshëm, sidomos në piketimin e lojtarëve që nuk kushtojnë shumë, por që më pas shiten me përfitime të mëdha. Kështu ka bërë ai me lojtarë nga Shqipëria, Kosova apo shqiptarë që kanë lindur në vende të ndryshme të kontinentit, të cilët, në përgjithësi, kanë rezultuar baste të fituara.
Kështu, ish-futbollisti i Kombëtares kuqezi ka përpiluar një listë me lojtarë e mundshëm që mund të përforcojnë repartin e sulmit të skuadrës bardhekaltër. Në këtë listë është edhe sulmuesi i Kosovës Vedat Muriqi, i cili ka spikatur deri në momentin e ndërprerjes së kampionatit turk me Fenerbahçen. Tare duket nuk e ka ndërmend të heq dorë nga bashkëkombësi i tij, i cili po luan me sukses në Fenerbahçe
Madje Drejtori Sportiv i Lacios po e mendon strategjinë për ta arritur një gjë të tillë, teksa nuk është më sekret që sulmuesi kosovar është objektiv i klubit të Serisë A. E përditshmja e mirënjohur sportive italiane “La Gazzetta dello Sport” raporton se Tare po mendon të flasë personalisht me prizrenasin. Raportohet se “bardhekaltërit” janë të gatshëm të paguajnë 20 milionë euro për kartonin e Muriqit.
Gjithashtu, 25-vjeçarin e do edhe klubi tjetër italian, Napoli. Ndërkohë që raportohet se, në Angli, futbollistin nga Kosova e pëlqejnë 6 klube, e më konkretisht Totenhemi, Mançester Junajtid, Leister Siti, Njukasëll Junajtid, Bërnli dhe Brajtoni. Nga ana tjetër, drejtuesit e klubit turk të Fenerbahçes synon të nxjerrin deri në 25 milionë Euro nga shitja e ish-futbollistit të Rizesporit.
Muriqi i ka realizuar 15 gola këtë sezon deri më tani me ekipin nga Stambolli, ndërsa ka spikatur edhe me përfaqësuesen e Kosovës. Kjo ka bërë që edhe Tara ta përfshijë në listën e 6 kandidatëve të fortë për sulmin e Lacios. Krahas sulmuesit të Kosovës, spikati edhe i riu Ianis Haxhi, futbollisti rumun i huazuar tek Gllasgou Rejnxhërsi, skuadër ku luan dhe sulmuesi i Shqipërisë Florian Kamberi.
Kandidatë të tjerë janë sulmuesi veteran i Çellsit, Oliver Zhiru dhe katalanasi Pedro. Ndërkohë, Tare ka piketuar dhe sulmuesin serb të Fiorentinës, Dushan Vlahoviç , si dhe lojtari i Zenitit të Shën Pjetërburgut, Artem Dziuba. Siç raporton e përditshmja e mirënjohur sportive italiane, pritet që të ketë efekt përpjekja e Drejtorit Sportiv të Lacios, për të biseduar personalisht me futbollistin nga Kosova.