AlbanianSport.com 09.12.2014 21:05
ASNN – Ndue Burgaj dhe Eriton Popaj janë themeluesit e Akademisë së futbollit në Bajzë, ndërsa kjo Akademi shërben për zbulimin e talenteve të futbollit në Malësinë e Madhe. Pak fjalë për themeluesit e kësaj Akademie, ndërsa Ndue Burgaj më parë ka qenë trajneri i ekipeve zinxhir në Bajzë me dëshirën e mirë dhe të madhe për të bërë futbollistë, sepse pasioni i tij për topin e bënte të mos qëndronte indiferent.
Pas viteve 1990, më sakë më 1994-rën, Burgaj me ekipet e moshave 13-15 vjeç ka marrë pjesë në kampionatet e Zonës së Veriut në qarkun e Shkodrës. Madje të njëjtën gjë e bën dhe tani. Ndue Burgaj luan rolin e trajnerit, së bashku dhe me Eriton Popajn, i cili ka qenë futbollisti i Veleçikut, Tërbunit, Adës dhe Besëlidhjes. Të dy së bashku kanë zbuluar një talent si mbrojtësi 13-vjeçar Erikson Delaj.
Zhvillimi i tij fizik, përdorimi i mirë i topit ka rënë në sytë e specialistëve vendës e sidomos të Akademive me të cilët zhvillojnë edhe ndeshjet në kampionat. Ky djalosh, gjithnjë për sa i përket anës fizike, ka tërhequr dhe vëmendjen e menaxherëve italian, sidomos Ernano Ferrarit, që është menaxheri i Interit, i cili së bashku me ndihmësat e tij ka ardhur në Shqipëri për të parë këtë djalosh.
Këta specialistë kanë kryer vëzhgimin e dytë të talenteve të futbollit shqiptar në vendin tonë dhe në Kosovë, madje në Prizren, në një hark kohor gjashtë muaj. Duke parë punën e mirë që po bëhet me moshat në Shqipëri dhe Kosovë, sidomos me Akademitë e moshave, ata janë të interesuar për të gjetur dhe talente të tjera. Eriksonin e ka vlerësuar më parë dhe presidenti i Akademisë Brian’s, Gjergji Filipi, si dhe mbrojtësi i shquar lezhjan Henri Ndreka.
Pasi kanë parë Eriksonin të luante në Zonën e Veriut, menaxherët italian kanë vendosur të bëjnë një tjetër inspektim në vendin tonë. Dhe ky është efekti i Akademisë së futbollit në Bajzë.