Gjergj Vyshka 01.06.2016 17:05
Erjon Hoxhallari, mesfushori i Tiranës, është fituesi i një prej tre çmimeve të treta në këtë edicion të tetë të Talentit të Sezonit. Ka premtuar besnikëri ndaj Tiranës, ndoshta duke mohuar çdo ofertë që mund t’i vijë nga klubet e Kategorisë Superiore. “Ndihem shumë i lumtur për këtë çmim”, – ka thënë ai.
“Ia dedikoj Tiranës, sepse është skuadër që më ka dhënë shumë. Sigurisht që do t’i mbetem besnik kësaj skuadre dhe nuk do të largohem. Çmimin e fituar ia dedikoj familjes, Tiranës si skuadër, por dhe tifozëve bardheblu”, – ka përfunduar Hoxhallari, ndërsa më pas ka marrë çmimin që i takon.
Ndërkohë, Artur Magani ka ardhur me kokën ulur përpara trofeut, ndërsa ka deklaruar se vetëm punëtorët e bëjnë një gjë të tillë. Një fenomen që ka rënë në sy dhe të drejtueses së edicionit të tetë të Talentit të Sezonit, Enkelejda Zeko. A ndikon i ati, Gugashi, në atë që bën Arturi në stërvitje dhe në ndeshje?
Kjo ka qenë pyetja, ndërsa përgjigja e sulmuesit të Teutës ka qenë: “Sigurisht që babai ka rolin kryesor në rritjen time si lojtar, apo dhe në këtë trofe. Por më kryesori është Teuta”.