AlbanianSport.com 14/02/2019 23:50
ASNN – Liga e Evropës, 4 nga 7 ndeshje fitohen nga miqtë, dy nga vendasit, vetëm një barazim, ka bollëk golash. Ndryshe nga 8 takimet e orës 18:55, ku u shënuan 16 gola, 7 takimet e orës 21:00 kanë qenë më pjellore në këtë drejtim, pasi u realizuar 20 gola. Përtej kësaj, asnjë nga këto 7 takime nuk u mbyll pa gola, ndërsa vetëm njëri prej tyre përfundoi në barazim, teksa 4 ndeshje u fituan nga skuadrat udhëtuese dhe vetëm dy nga skuadrat vendase.
Valencia ka shënuar dy herë në skajet e kundërta të dy pjesëve të lojës në Skoci, duke marrë një fitore të pastër, 2-0 ndaj Sëlltikut, që i jep shpresa të mëdha për ndeshjet e kthimit. Një fitore të tillë, që praktikisht e bën ndeshjen e kthimit një formalitetit, korri edhe Napoli në Zvicër, duke mundur Zyrihun 3-1. Edhe Çellsi fitoi 2-1 ndaj Malmoes në Suedi, ndërsa me një gol të vetëm fitoi në Portugali edhe Vijareali, që mposhti vendasit e Sportingut të Lisbonës në derbin iberik.
Ndërkaq, dy fitoret vendase erdhën të dyja me përmbysje, pasi si Klub Bryzhi, ashtu edhe Viktoria e Plzenjit, kapërcyen mbylljen e pjesës së parë në disavantazh të një goli dhe shënimin dy herë në pjesën e dytë, për të marrë fitore 2-1, përkatësisht ndaj austriakëve të Salzburgut dhe kroatëve të Dinamos së Zagrebit. Barazimi i vetëm i mbrëmjes së të enjtes ishte ai që Eintrahti i Frankfurtit mori në të ftohtin ukrainas përballë Shahtjorit të Donjeckut, që u mbyll me shifrat 2-2.
Gjermanët kanë kaluar dy herë në epërsi, si në pjesën e parë, ashtu edhe në të dytë, por vendasit janë kundërpërgjigjur në të dyja rastet, duke arritur të shpëtojnë me një barazim në shtëpi. Takimi Fenerbahçe-Zenit i Shën Pjetërburgut, që u luajt të martën, u fitua nga turqit me një gol të vetëm.