AlbanianSport.com 04/10/2018 10:45
ASNN – Veprimtaria e dytë e klubeve të kontinentit, Liga e Evropës, luan të enjten ndeshjet e dyta të fazës së grupeve, dhe gjithçka do të nisë në ora 16:50, me takimin midis kazakëve të Astanës dhe francezëve të Renës. Ky takim është i vlefshëm për grupin K, aty ku në ora 21:00, Dinamo e Kievit përballet me Jablonecin në fushën e kësaj të fundit. Pas ndeshjeve të para, Rena kryeson renditjen me 3 pikë, e ndjekur nga kazakët dhe ukrainasit, me një pikë të vetme.
Në takimet që nisin në ora 18:55, Bajer Leverkuseni dhe Zyrihu, që kryesojnë grupin A me pikë të plota pas ndeshjeve të para, presin në fushën e vet përkatësisht qipriotët e AEK-ut të Larnakës dhe bullgarët e Ludogorets Razgradit, ndërsa në grupin B, Salzburgu dhe Sëlltiku, që i kanë fituar ndeshjet e para, përballen me njëra-tjetrën në Austri, ndërsa në duelin tjetër, Rozenborgu pret në Norvegji Lajpcigun.
Në grupin C, ku Sllavia e Pragës kryeson me pikë të plota pas ndeshjeve të para, viziton Shën Pjetërburgun për t’u ndeshur me Zenitin vendas, ndërsa Bordoja, që e ka humbur takimin e parë, pret në fushën e vet danezët e Kopenhagenit. Dinamo e Zagrebit dhe Spartaku i Tërnavës, që kryesojnë grupin D me pikë të plota pas ndeshjeve të para, vizitojnë përkatësisht turqit e Fenerbahçes dhe belgët e Anderlehtit.
Ndërsa edhe në grupin E, dy skuadrat që kryesojnë pas fitoreve në ndeshjet e para, Arsenali dhe Sportingu i Lisbonës, udhëtojnë përkatësisht drejt Azerbajxhanit dhe Ukrainës, për t’u përballur me Vorsklan dhe Karabagun. Në takimet e fundit të orës 18:55, të vlefshme për grupin F, Milani kryesues pret Olimpiakosin në “San Siro”, ndërsa Real Betisi, që barazoi me grekët në ndeshjet e parë, pret gjithashtu në shtëpi Dydelonzhin.