Gjergj Vyshka 11.10.2014 18:45
Bardhoci: Sekretari Markaj sfidon urdhrat e shtetit dhe të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Taekuondoja (World) vazhdon të jetë e përçarë në Shqipëri, pasi një grup i sportistëve të Federatës që drejtohet nga Fatmir Bardhoci janë penguar të shkojnë në Kampionatin Ballkanik, i cili zhvillohet në Slloveni. Sipas Bardhocit, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit i është kërkuar ndërmjetësimi i një takimi me sekretarin e përgjithshëm Arben Markaj në mënyrë që Shqipëria dhe taekuondoja të ishte e përfaqësuar nga të gjithë.
Dhe falë këmbënguljes së zëvendësministrit Rauf Dimraj është arritur përfshirja e të gjithëve në Slloveni. Por dhe pse ka ardhur ky urdhër, gjithnjë sipas Bardhocit, sekretari i përgjithshëm i kësaj Federate, Arben Markaj, nuk ka pranuar t’i regjistrojë sportistët në Ballkaniadë. “Më 9 tetor, ky sekretar e ka kundërshtuar këtë urdhër të shtetit, – ka theksuar ai. – Dhe pas shumë ndërhyrjeve është arritur që sportistët tanë t’i bashkëngjiten kombëtares. Por përsëri, sekretari Markaj ka urdhëruar shoferin e autobusit të mos i marrë këto sportistë.”
“Me ndërhyrjen e zëvendësministrit është treguar vendndodhja e autobusit, por dhe pse sportistët kanë mbërritur në Vorë, përsëri nuk janë lejuar të hipin në të”, – ka thënë Bardhoci, ndërsa sportistët që nuk kanë konkurruar në Ballkaniadë janë Amanta Kosova, Jonad Kosova dhe Rudei Bulku. Sipas Bardhocit, këto sportistë nuk janë lejuar, sepse po të merrnin medalje do të rrezikonin bursën olimpike të Ada Demnerit. “Për të gjitha këto që kanë ndodhur, ne kemi kërkuar shkarkimin e Sekretarit të Përgjithshëm, Arben Markaj”, – ka këmbëngulur ai.
“E jo vetëm kaq, por dhe prokurorisë së Tiranës dhe drejtorisë së Policisë, seksionit të krimit ekonomik, nisjen e hetimit dhe procedimit penal ndaj Markajt për shpërdorim detyre dhe abuzime me fondet publike”, – ka përfunduar Bardhoci.