AlbanianSport.com 28/05/2018 09:45
ASNN – Studenti i Xhevahir Hysës është fituesi i Turneut Ndërkombëtar në Taekuondo në versionin “World”, që është zhvilluar në Sallën Sportive “Farie Hoti”, ndërsa ka qenë për fëmijë të moshës 6-14 vjeç. Sipas informacionit që ka dhënë për gazetën “Sport Ekspres”, sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Taekuondosë World, Arben Markaj, në këtë veprimtari kanë marrë pjesë 222 sportistë, të cilët kanë përfaqësuar 14 ekipe nga Shqipëria, 3 ekipe nga Kosova dhe 1 ekip nga Mali i Zi.
Madje ajo çfarë e ka bërë interesante këtë turne të parë ndërkombëtar të organizuar nga Studenti i Hysës ishte pjesëmarrja e 82 vajzave. Në vendin e dytë është renditur Vllaznia, me trajner Elion Pukën, dhe në vendin e tretë “Olimpik Art” i Kosovës me trajner Asim Agushi. Gjithnjë sipas informacionit që ka përcjellë Markaj në këtë turne kanë bërë figurë të mirë “Orteku” i Julian Cacës, “Gladiatori”, me trajner Angjelin Mrruku, Besëlidhja, me trajner Martin Marku.
Po kështu, edhe Apolonia, me trajner Endrid Dizdari, Tirana, me trajnere Arjola Kasaj (Zhegu), “Kombat Tirana” me trajner Marsel Peti, Korabi me trajner Arjan Salkurti, “Alpin” me trajner Fatjon Rrapollari, “Puma” me trajner Valmir Fetiu. Specialistët kanë vlerësuar si sportistët më të mirë të veprimtarisë Daniel Reçin e Vllaznisë për paratërinj, Klea Balla e Studentit për Fëmijë A, Jon Gashi i “Olimpik Art” për Fëmijë B.
Ndërkohë në këtë veprimtari ka qenë i pranishëm edhe presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, së bashku me mjeshtrin Kim Jong Ki. Më 10 qershor 2018, në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet, do të zhvillohet Kampionati Kombëtar i Fëmijëve, atje ku do të caktohet dhe kombëtarja që do të marrë pjesë në Kampionatin Ballkanik në tetor të këtij viti.