Gjergj Vyshka 26.09.2016 12:30
Sportisti i Dinamos, që stërvitet nga Elvis Vulka, vazhdon sukseset e tij duke pretenduar të ketë dhe medalje të tjera që në Botërorin e Kanadasë në nëntor. Romario Noka është Kampion Ballkani për të rinj në taekuondonë në versionin (World) në peshën deri në 59 kg.
Sportisti i Dinamos, që stërvitet nga trajneri Elvis Vulka, që është njëkohësisht dhe zëvendëspresidenti i Federatës Shqiptare e Taekuondosë (W), ka shpërblyer të gjithë punën e kryer, ndërsa pritet që kjo medalje e artë e këtij taekuondisti të shoqërohet dhe me të tjera që në Botërorin e Kanadasë në nëntor të këtij viti.
Nuk duhet harruar që Noka, pas dy viteve pushim, u rikthye si “kampion” dhe “Sportisti Më i Mirë” i Kampionatit Kombëtar të Taekuondosë (World). Dhe tashmë sjell të parën medalje të artë ballkanike për të rinj për taekuondonë shqiptare. Në garimin e tij, Noka dy ndeshjet e para i ka përfunduar që në raundin e dytë me epërsi pikësh.
Më pas përballë kundërshtarit serb në gjysmëfinale ka fituar 11-7 dhe ndaj bullgarit në finale 11-5 dhe kështu meritoi medaljen e artë. Më parë kishte fituar me një kundërshtar nga Maqedonia dhe Rumania. “Është sportist i talentuar dhe shumë shpejt do ta thotë fjalën e tij në Botërorin e Kanadasë”, ka përfunduar trajneri i Nokës, Elvis Vulka.