Gjergj Vyshka 24.10.2016 15:15
Për dy ditë me radhë në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet. është zhvilluar Turneu i dytë Ndërkombëtar i Tiranës në Taekuondo, në versionin “World”. Një veprimtari që është organizuar nga Endrid Hoxha, Mjeshtër Ndërkombëtar “4 dan”, që është trajner i Qendrës së Taekuondosë, si dhe Drejtor Teknik i Federatës Shqiptare të Taekuondosë. Në këtë veprimtari kanë qenë pjesëmarrës 7 shtete, që kanë sjellë 35 klube, të cilat rrjedhimisht kanë zbritur në tapet 438 sportistë.
Kështu për Shqipërinë kanë qenë 13 klube, të cilat ishin “Alpin”, Apolonia, “Gladiator”, “Elite Sport Akademi”, “Oazi”, Qendra e Taekuondosë, “Shqiponjat”, Studenti, “San Rei”, Tirana, Vllaznia dhe Korabi. Për Greqinë kanë marrë pjesë Janina, “Ampelonos ei.zhn”, “Jeon-Sa Janina”, “Pigasos Analipseos” dhe “Artas Taekuondo”. Po kaq skuadra ka sjellë dhe Italia që nga Klubi Olimpik i Leçes, “Taekuondo Taranto”, Taekuondo STS”, Martina Franka dhe “Team Kiriati Martano”.
Kosova është përfaqësuar me “AAM Prishtina”, “Akademi Tiger”, KT “Shqiponja”, “Olimpik Art”, “Deardi Taekuondo” dhe “Puma Taekuondo”. Në këtë veprimtari kanë marrë pjesë dhe katër skuadra të Malit të Zi si “Taekuondo Klub Akademi”, “Taekuondo Korio”, “Montenegro Stars” dhe “Ulqini Taekuondo”. E veçanta është se ka marrë pjesë skuadra nga Sejshellet e largë, “Taekuondo Sejshelles Klub” dhe një nga Serbia, “Raund Kragejevac”. Në këtë veprimtari, që ka qenë dy ditë, është konkurruar në pesë arena.
Po kështu, është konkurruar edhe me sistem elektronik dhe kokore elektronike, si dhe kamera, ndërsa ka pasur ekrane të mëdhenj të posaçëm, të përmasave 6 x 4. Në përfundim janë shpallur dhe fituesit, atje ku “Orteku” i Julian Cacës ka qenë fitues për kategorinë e fëmijëve, paratërinjve dhe të rinjve, kurse për të rritur Prishtina e Kosovës. Sportistët më të mirë të veprimtarisë ishin Arnes Merdanaj (Tirana) për fëmijë, Daniel Pasho (Qendra Taekuondo) për paratërinj.
Blerim Brahja (San Rei) ishte për të rinj dhe Mihail Lakis (Greqi) për të rritur. Për femra, sportistja më e mirë Izabela Simeone. Ndërkohë, sipas informacionit që ka përcjellë organizatori i kësaj veprimtarie, Endrid Hoxha, janë dalluar dhe Elord Gjana, Enejd Zeqo, Olen Xhuti, Enid Qirjaqi. Ndeshjet janë gjykuar nga 32 gjyqtarë, prej të cilëve 25 ishin ndërkombëtarë. Të pranishëm në këtë veprimtari kanë qenë nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Abaz Hado, Drejtoresha e Sporteve në Bashkinë e Tiranës, Edera Alibegaj, si dhe sekretari i përgjithshëm i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Stavri Bello.
Veprimtaria ka qenë nën mbështetjen e Bashkisë së Tiranës, Uorld Vizion, Agna Grup, Spitalit Amerikan dhe Prodata, si dhe promotor të saj kanë qenë Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Federata Botërore e Taekuondosë. E për t’i dhënë më tepër ngjyra spektaklit nga organizatorët kanë qenën të ftuar Aldo Kodako, Domeniko, Isako, Ahndrea dhe Silvio. Kësisoj Orteku dhe Prishtina kanë dominuar turneun e dytë ndërkombëtar të Tiranës.