AlbanianSport.com 17.04.2016 23:35
ASNN – “Top Tirana Open” është shndërruar në veprimtarinë më të madhe të Taekuondosë në versionin “World” dhe, në edicionin e pestë të saj, pritet që të marrin pjesën afro 500 sportistë, çka përfaqëson një pjesëmarrje të pesëfishuar në krahasim me edicionin e parë. Përveç kësaj, edhe gjeografia është zgjeruar dhe sportistët tanimë vijnë nga 8 vende të ndryshme të Evropës.
Një prej tyre është edhe Italia, e cila do të përfaqësohet nga Klubi i Taekundosë së Leçes, që drejtohet nga Mjeshtri Aldo Kodaco. Duke folur ekskluzivisht për AlbanianSport.com, trajneri i mirënjohur italian i arteve marciale, sqaron se në edicionin e 5-të të “Top Tirana Open”, ai do të sjellë në Tiranë një delegacion të zgjeruar prej 15 sportistësh, plus stafit shoqërues.
I pyetur se çfarë mendon për faktin që, nga edicioni i parë, deri tek edicioni i 5-të, pjesëmarrja është pesëfishuar, Kodaco thotë: “Nuk është çudi, sepse puna e mirë gjithmonë të shpërblen dhe mendoj që këtë vit Leo (Kapri, presidenti i Klubit “Top Gym Sport” dhe organizatori i “Top Tirana Open”) ka bërë një punë të jashtëzakonshme në të gjitha drejtimet, duke joshur skuadra prestigjioze”.
Ndërkohë, mjeshtri italian i taekuondosë, ka vlerësuar edhe nivelin këtij turne. “Nga viti në vit, niveli po rritet dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe, – thotë ai. – Ashtu siç është e saktë të thuhet se edhe taekuondoja është një sport i destinuar të rritet në vazhdimësi. Kjo është edhe detyra ime në Federatës Italiane të Taekuondosë, ku veçori është përzgjedhja dhe promovimi i talenteve.”