Gjergj Vyshka 10.04.2016 21:15
Shkëlqen Dinamo e Elvis Vulkës, e cila ka marrë tre medalje, dy ari dhe një argjendi, ndërsa Romario Noka është shpallur sportisti më teknik i të rinjve. Në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” në Durrës dje është zhvilluar Kampionati i 20-të Kombëtar për Të Rinj dhe të rritur në taekuondo World. Vllaznia për të rritur dhe Orteku për të rinj kanë qenë kampionët e Shqipërisë, ndërsa ka vazhduar traditën e shkëlqyer të medaljeve edhe Dinamo e Elvis Vulkës.
Kjo skuadër ka marrë pjesë me 5 sportistë, katër të rritur dhe 1 të rinj, të cilët ishin Amarildo Gashi (pesha 63 kg), Ledjan Cekaj (Pesha 68 kg), Ilir Tafa (pesha 74 kg) dhe Gerald Asqeri (pesha +87 kg). Ndërkohë tek të rinjtë ka konkurruar Romario Noka i peshës 59 kg, ndërsa është shpallur jo vetëm kampion, por dhe sportisti më teknik për të rinj. Dhe në total, ekipi i Dinamos ka marrë tre medalje, të cilat ishin 2 ari dhe 1 argjendi.
Medaljet e arit kanë ardhur nga Ledjan Cekaj dhe Romario Noka, kurse e argjendta nga Geraldi Asqeri. Sipas trajnerit të Dinamos, Elvis Vulka, sportistët e përvojës, Ilir Tafa dhe Amarildo Gashi, kanë bërë paraqitje dinjitoze, por nuk kanë mundur të arrijnë në zonën e medaljeve. ”Ne shpresojmë që të kemi paraqitje dinjitoze në veprimtaritë e ardhshme kombëtare dhe ndërkombëtare, ndërsa do të vazhdojmë ta lartësojmë emrin e mirë të Dinamos”, – ka thënë trajneri i bluve, Elvis Vulka. ndërsa Dinamo vijon të tregojë traditën e mirë të saj në sportin e taekuondosë, ashtu sikurse dhe ekipe të tjera.