Gjergj Vyshka 18.01.2016 17:05
Federata Shqiptare e Taekuondosë (World), me President Genti Nanon dhe Sekretar të Përgjithshëm Arben Markaj, ka zhvilluar dje në mesditë punimet e asamblesë së përgjithshme, e cila është bërë në mjediset përballë shoqatës “Studenti” me trajner Xhevahir Hysa. Pavarësisht mungesës së të dërguarve të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportiv, anëtarësia e ka diskutuar dhe miratuar rendin e ditës me shumë qetësi.
Pas raportit të presidentit Nano, si dhe raportit financiar, i cili është mbajtur nga Sekretari i Përgjithshëm i Federatës, Arben Markaj, është kaluar në zgjedhjen e dy anëtarëve të rinj të kryesisë. Në garë për dy vende kanë qenë Arjola Kasaj (Zhegu), Elvis Sejko dhe Sokol Cera. Dhe në fund të votimeve e pas numërimit, Kasaj dhe Cera janë anëtarët e rinj të kryesisë së Federatës Shqiptare të Taekuondosë. Po kështu është miratuar ndarja e fondit grant, që është në shumë 1.500.000 lekë.
Në të njëjtën kohë, është miratuar edhe kalendari për të gjithë veprimtaritë kombëtare e ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë po mbi bazën e fondit grant janë miratuar dhe taksat për licencën e trajnerëve dhe gjyqtarëve, si dhe shpenzimet për Federatën, apo kontrata e punësimit. U është dhënë statusi provizor “Smart Kids” dhe “Visela Martial Arts”, si dhe është diskutuar për heqjen e statusit ekipeve jo aktive në Federatë të tillë si Sopoti, apo “Mai Tai Shqipëri”.
Kësisoj Federata Shqiptare e Taekuondosë (World) i bashkëngjitet simotrave që kanë bërë deri më tani asambletë e zakonshme, ndërsa të tjerat janë në rrugë e sipër.