AlbanianSport.com 18.04.2015 19:45
ASNN – Mbi 250 sportistë nga 8 shtete morën pjesë në veprimtarinë e zhvilluar të shtunën, në Pallatin e Sportit ”Asllan Rusi” në kryeqytet, ku më i miri doli ekipi grek, Makedoniki nga Selaniku. Kështu, ishte një pjesëmarrje e madhe dhe nivel i lartë në turneun e katërt ”Top Tirana Open” në taekuondo.
Sportistët ishin nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Bullgaria, Greqia, Serbia, Italia, si dhe një sportist i vetëm nga Zvicra. Garat u zhvilluan për disa orë rresht, nga ora 09:00 e mëngjesit, deri në 17:00 pasdite, duke konfirmuar se niveli i këtij turneu ndërkombëtar vazhdon të ngrihet.
Kjo ishte hera e katërt e zhvillimit të këtij turneu të kategorisë “Open”, i vetmi në Shqipëri për këtë lloj, dhe të organizuar nga Federata Shqiptare e Taekuondosë dhe klubi “Top Gym Sport” nga Tirana, me drejtues Leo Kaprin. Sportistët shqiptarë u paraqitën mirë në këtë turne, me pjesëmarrje të disa skuadrave si “Top Gym Sport”, Tirana, “Sun Ray”, “Elite Sport Academy”, etj.