Gjergj Vyshka 12.01.2016 10:50
Kërkesa e zëvendëspresidentit të Federatës Shqiptare, Leonidha Kapri, nuk është marrë parasysh. Tërhiqet nga drejtimi i delegacionit në Stamboll, kjo edhe për arsye ekonomike. Më 21 dhjetor, zëvendëspresidenti Kapri nëpërmjet imelit i ka kërkuar presidentit të Federatës Shqiptare të Taekondosë (World), Genti Malko, rishikimin e kësaj date, sepse në të njëjtën kohë do të ishte turneu kualifikues në Stamboll për Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”.
Ja dhe mesazhi i Kaprit nëpërmjet postës elektronike: “Në pritje të një përgjigje nga ana juaj për ndryshimin e dates se asamblesë të përgjithshëm vjetore! Po ju rikujtojë dhe një herë se data e vendosur nga ju për organizimin e asamblesë bie ndesh me “Europian qualification tournament Rio 2016”, ku FSHT do të marrë pjesë me ekipin kombëtar. Ju lutem te rishikohet mundësia e shtyrjes të datës së asamblesë, pasi për mua personalisht të dyja këto aktivitete janë të një rëndësie të veçantë. Mendoj se dhe për ju gjithashtu duhet të jetë e njëjta gjë. Duke shpresuar se do të gjejë mirëkuptim tuaj ju urojë punë të mbarë”.
Dhe po në të njëjtën datë, më 21 dhjetor, vjen reagimi i presidentit Malko, i cili i ka kujtuar Kaprit që data e zhvillimit të asamblesë së përgjithshme është vendosur me miratimin e të gjithë anëtarëve të kryesisë. “Datën e caktuam në mbledhjen e kryesisë të gjithë bashkë, – ka kthyer përgjigje Malko për Kaprin. – Nuk është se kishte ndonjë qëndrim tjetër lidhur me datën. Më shumë se mua ndryshimin duhet t’ua kërkosh anëtarëve të tjerë të kryesisë, pasi, në fund të fundit, nëse do të ndryshohet data kjo sërish do të vendoset me votë në mbledhjen e radhës së kryesisë.”
“Në dy mbledhjet e fundit nuk ke qenë, njërën e braktise, tek tjetra nuk erdhe, – ka vijuar ai. – Ç’të të them. Sidoqoftë, do ta diskutoj në mbledhjen që vjen së shpejti.”. Por zëvendëspresidenti i Federatës Shqiptare të Taekuondosë, edhe duke e ditur që ka një sportisten e tij në delegacionin shqiptar në Stamboll si Ada Demneri, kandidate për t’u kualifikuar, ndërsa është edhe me bursë olimpike, ka marrë dhe mendimin e anëtarëve të tjerë dhe në një “e-mail” të dytë i ka bërë të ditur presidentit Malko më 22 dhjetor: “Genti! Kam biseduar me disa nga anëtarët e kryesisë dhe janë dakord që të shtyhet data e asamblesë, nëse dhe ti je dakord atëherë unë po procedojë për blerjen e biletave për në (Europian qualification tournament Rio 2016)”.
Por deri më 8 janar, kohë në të cilën është bërë e ditur dhe delegacioni për në Stamboll, teksa drejtues dhe trajner është Kapri, nga Federata Shqiptare e Taekuondosë nuk ka pasur asnjë lëvizje të kësaj date. Dhe vetë Kapri e ka cilësuar këtë hap si një procedurë për ta bërë asamblenë sa më shpejt dhe për të mos pasur brenda një zë kundër. Ndonëse në parim debati sjell zhvillim dhe ndryshim.
Ja Rendi i ditës i
Asamblesë së Përgjithshme të Taekuondosë (World)
më 17 janar 2016
1) Verifikimi i përbërjes së mbledhjes
2) Raporti i presidentit
3) Raporti financiar (sekretari i përgjithshëm)
4) Zgjedhjet për vendet vakante në Komitetin Ekzekutiv, kandidaturat e përzgjedhura janë: Arjola Kasaj (propozuar nga Tirana), Elvis Sejko (propozuar nga Vllaznia), Sokol Cera (propozuar nga Shqiponja)
5) Miratimi i kalendarit për vitin 2016, paraprakisht: Aktivitete Kombëtare (Kampionati Kombëtar të rritur, të rinj dhe kadet fillimi i muajit prill), (Turneu i pestë ndërkombëtar Tirana Open 7 maj), Kampionati Kombëtar fëmijë (A, B dhe C), Tirana Trofi (muaji tetor), Kupa e Shqipërisë fundi i nëntorit në Fier dhe Kupa e Ambasadorit në momentin që do të merret konfirmimi nga Ambasadori, si dhe ndonjë aktivitet tjetër që do të propozohet nga shoqatat. Aktivitetet Ndërkombëtarë sipas kalendarit të kushtëzuar nga ndërkombëtarët.
6) Preventivi paraprak për ndarjen e fondit Grant 2016, që është io njëjtë me fondin e vitit 2015 në shumë 150.000 lekë të rinj; 600.000 lekë të rinj për aktivitetet kombëtare, 300.000 lekë për aktivitetet ndërkombëtare, 100.000-120.000 lekë taksa e licencës ndërkombëtare për trajnerë e gjyqtarë, 200.000 lekë të rinj për shpenzime për federatë, 280.000-300.000 lekë të rinj për kontratat vjetore të punësimit e detyrueshme nga MAS.
7) Ndryshimet në Rregulloren e Brendshme
8) Dhënia e statusit provizor për ekipet Smart Kids dhe Visela Martial Art
9) Shqyrtimi i statusit për ekipet jo aktive Sopoti dhe Mai Tai Shqipëri
10) Diskutime nga anëtarët
11) Mbyllja e punimeve të asamblesë
Delegacioni i Shqipërisë
në turneun e Stambollit
(16-17 janar)
Leonidha Kapri
(drejtues delegacioni dhe trajner i ekipit kombëtar)
Elvis Vulka (menaxher)
Ada Demneri (pesha – 57 kg, sportiste)
Egers Aliu (pesha – 58 kg, sportist)
Ledjan Çekaj (pesha – 68 kg, sportist)