Gjergj Vyshka 28.12.2014 14:20
Federata Shqiptare e Taekuondosë në versionin ITF ka pasur një zgjerim të konsiderueshëm në vend, ndërsa janë 580 sportistë të regjistruar, të cilët përfaqësojnë pesë ekipe të Tiranës dhe 20 skuadra që vijnë nga rrethet. Sporti dhe arti marcial i bukur i taekuondosë po tërheq çdo ditë e më shumë të rinj sportistë duke i larguar ata nga veset, streset dhe jeta monotone.
Nëpërmjet argëtimit dhe garave fitohen medalje të ndryshme, bashkë me emocionet që ofrojnë aktivitetet dhe kampionatet e ndryshme. Për të arritur në Kampionatin e 20-të Kombëtar të Taekuondosë është dashur një punë e madhe në grupe me vullnetin e sportistëve dhe trajnerëve për ta bërë këtë veprimtari. “Madje, – thotë Çaushaj, – ka pasur dhe një përkushtim të shefave të klubeve dhe inspektoreve të sportit në bashki.”
“Në këto kushte, në aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare do të kishim dashur më tepër përkushtim dhe mbështetje të plotë nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit”, – ka shtuar ai. Ndërkohë që veprimtaria e radhës do të jetë më 17 janar 2015, ndërsa në selinë e Federatës Shqiptare të Taekuondosë (ITF) do të përzgjidhen sportistët profesionistë të kombëtares, të cilët do të marrin pjesë në Kampionatin Evropian të të rriturve në Moldavi në korrik 2015.
Dhe përtej përkushtimit të të gjithëve, rolin kryesor të organizimit të kampionatit e kanë pasur mjeshtërit ndërkombëtar Bujar Çaushi (brezi i zi 6 dan) dhe Ardian Çaushi (brezi i zi gjashtë dan). Madje, gjithnjë sipas informacionit që ka dhënë Federata Shqiptare e Taekuondosë ITF, aktiviteti ka qenë i mbështetur nga firmat “ARB Sekuriti”, “Rogat Sekuriti” dhe “Grafik Line”. Në përfundim “Ari Master Akademi” Tiranë e ka merituar titullin kampion në Taekuondo ITF.