Gjergj Vyshka 13.10.2014 07:55
Zëvendëspresidenti Vulka: Mund të kishim marrë dhe më shumë, por na ndëshkuan gjykimet. Vendi ynë kandidat për zhvillimin e këtij kampionati vitin e ardhshëm në Tiranë. Edhe dy medalje të tjera në Kampionatin Ballkanik të Taekuondosë (World) në Slloveni e Shqipëria nuk di të ndalej në këtë veprimtari. Dhjetë bronzi dhe dy argjendi tregojnë për një paraqitje më shumë se sa dinjitoze të taekuondistëve tanë, ndonëse të paktën edhe sipas shefit të delegacionit të kuqezinjve, Elvis Vulka, i cili është dhe zëvendëspresident i Federatës Shqiptare të Taekuondosë, mund dhe duhet të ishin marrë më shumë.
Dy medaljet e fundit, dje në Slloveni, kanë ardhur nga Mantho Proko në peshën 57 kg për kadet dhe Elvis Gjana në peshën 58 kg për të rritur. “Ne jemi të kënaqur me paraqitjen e sportistëve tanë, – ka thënë Vulka nga Sllovenia, – megjithëse mund të kishim marrë dhe më shumë. Nuk janë pak dy medalje argjendi nga Ledian Çeka dhe Ada Demneri, apo dhe dhjetë medaljet e bronzit, që tregojnë një rritje cilësore të këtij sporti në vend. Nëse nuk morëm më shumë kjo ka ardhur dhe për mungesë eksperience të sportistëve tanë, apo dhe të gjykimeve të njëanshme dhe jo korrekte për skuadrën tonë.”
“Na janë dhënë shumë faulla të padrejta, por gjithsesi dhe me kaq duhet të jemi të kënaqur”, – ka shtuar Vulka. Ndërkohë përtej këtyre arritjeve, Shqipëria ka hedhur kandidaturën e saj për organizimin e Kampionatit Ballkanik të Taekuondosë më 2015-tën. Sipas Vulkës, vendimi është duke u disktuar në Bordin Drejtues të Unionit Ballkanik të Taekuondosë. “Ne jemi në pritje të përgjigjes, ndërsa do të ketë dhe një votim “online” nga të gjitha Federatat për vendin organizator të ballkaniadës më 2015-ën, – ka sqaruar Zëvendëspresidenti i Federatës Shqiptare të Taekuondosë. – Ballkaniku i vitit të ardhshëm do të quhet turneu G1 dhe do të ketë kushtet e veta të organizimit.”
“Shpresoj që të jemi ne pritësit e tij”, – ka përfunduar Vulka, kurse 12 medaljet e marra nga taekuondoja në këtë Ballkaniadë është më shumë se sukses.
Medaljet e fituara në Ballkaniadën e Taekuondosë
Argjend
Ada Demneri, Ledian Çekaj
Bronz
Besard Hykollari, Valdet Allaraj, Ariel Rrushi, Juirdo Cani, Fabiola Brahja, Adien Bajrami, Amarildo Gashi, Desara Duka, Mantho Proko, Elvis Gjana.