AlbanianSport.com 16.05.2015 09:25
ASNN – Sportistja shqiptare, Ada Demneri, nuk arriti të kalojë në turin e 16-shes në Kampionatin Botëror të Taekundosë, që po mbahet në Çeljabinjsk të Rusisë dhe ku ajo është një nga 3 pjesëmarrëset kuqezi. Sportistja e “Top Gym Sport”, Demneri, konkurroi në kategorinë së peshës trupore deri në 53 kg.
Ndeshja e saj e parë, e vlefshme për turin e 64-shes, ishte përballë domenikanes Disnansi Polanco, ndeshje kjo që u fitua me taekuondistja shqiptare me diskualifikim. Ndeshja e saj e dytë, e vlefshme për turin e 32-shes, ishte përballë kolumbianes Laura Garcia dhe u mbyll me rezultatin e ngushtë 8-9 në favor të amerikanolatines.
Demneri u radhit e 17-ta në kategorinë e peshës së saj trupore, kategoria ku konkurruan 64 sportistë. Në Kampionatin Botëror për Të Rritur, ku marrin pjesë 148 shtete, pjesë e delegacionit kuqezi janë edhe Visar Pitushi i Apolonisë, në kategorinë së peshës trupore deri në 63 kg dhe Egers Aliu i Tiranë, i cili konkurroi në kategorinë së peshës trupore deri në 53 kg.
Në fakt, i pari që zbriti nga tanët në tapet ishte Aliu. Përballë kazakistanasit Almaz Toktomatov, sportisti i Kombëtares shqiptare do të humbte me “pikë të artë” (golden point), 11-10, në turin e parë duke e mbyllur pikërisht këtu aventurën e Botërorit rus të Taekuondosë.
Kombëtarja shqiptare shoqërohet në këtë Botëror, njëherësh garë kualifikuese me grumbullim pikësh për Lojërat Olimpike “Rio 2016”, nga trajneri Leo Kapri, i cili, duke vlerësuar paraqitjen e sportistëve të tij, ka deklaruar për AlbanianSport.com se “Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona, duke falënderuar nga zemra të gjithë ata që na besuan dhe na mbështetën, dhe, në veçanti, familjet tona, të cilat na kanë qëndruar pranë në çdo moment, duke na dhënë kurajo për të vazhduar edhe me lart”.
Përtej paraqitjes në Çeljabinjsk, lajm i mirë për Federatën Shqiptare të Taekuondosë është edhe ftesa që ka marrë nga ajo Evropiane për sportisten Demneri për të marrë pjesë në Lojërat e Para Olimpike Evropiane, që mbahen në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku, nga data 12, deri më 28 qershor 2015.