AlbanianSport.com 14.05.2015 11:40
ASNN – Në Çeljabinjsk të Rusisë ka nisur Kampionati Botëror i Taekuondosë, pjesëmarrëse e të cilit është edhe Shqipëria, me 3 sportistë, e më konkretisht me Ada Demnerin, në kategorinë e peshës trupore nën 53 kg, Egers Aliun, në kategorinë e peshës trupore nën 58 kg, dhe Visar Pitushin, në kategorinë e peshës trupore nën 63 kg.
I pari që zbriti nga tanët në tapet ishte Aliu. Përballë kazakistanasit Almaz Toktomatov, sportisti i Kombëtares shqiptare do të humbte me “pikë të artë” (golden point), 11-10, në turin e parë duke e mbyllur pikërisht këtu aventurën e botërorit. Në një postim në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, Aliu do të shprehte keqardhjen për eliminimin.
“I penalizuar nga “‘golden point”, – shkruan sportisti shqiptar i arteve marciale. – Nuk mund të vazhdoja në duelin e ardhshëm. Shpresoj të përmirësoj gabimet e mia dhe të eci përpara”. Ndërkohë, shorti i Botërorit ka vënë përballë Demnerit domenikanen Disnansi Polanko, kurse Pitushi do të ndeshet në raundin e parë me sportistin e kombëtares afrikanojugore, Lesego Maponiane.