Gjergj Vyshka 17.12.2015 11:15
Leo Kapri, zëvendëspresidenti i Federatës Shqiptare të Taekuondosë në versionin “Ëorld”, por në të njëjtën kohë edhe kryetrajneri i “Top Gym Sport”, ka ngritur disa akuza që lidhen me organizimin e Kupës së Shqipërisë, e cila fundjavën e kaluar është zhvilluar në Shkodër. Ai këto akuza i ka bërë publike për të gjithë anëtarët e Federatës Shqiptare të Taekuondosë, por në të njëjtën kohë i ka bërë të ditur dhe për “Sport Ekspres”.
Sipas tij, është logjike që pas çdo veprimtarie, jo vetëm të Kupës së Shqipërisë, por dhe pjesëmarrjes në Kampionatin Evropian dhe Ballkanik, shoqëruar kjo e fundit me 18 medalje, të ketë një analizë. “Nuk kam dëshirë të ndalem në mbarëvajtjen e ekipit kombëtar që mori pjesë në Botëror, Evropian, apo Ballkanik, – ka deklaruar ai. – Por dua të ndalem në veprimtaritë kombëtare të Federatës Shqiptare të Taekuondosë për më tepër në Kupën e Shqipërisë.”
“Së pari, kjo veprimtari ka qenë e organizuara më keq nga ana e Federata Shqiptare e Taekuondosë, e cila ka një fond vjetor prej 1.500.000 lekësh të rinj të dhëna si “grant” nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, – ka kujtuar Kapri. – Shorti në këtë veprimtari është hedhur nga persona të aftë, të cilët kishin për qëllim të talleshin me djersën tonë dhe me mundin e sportistëve tanë.” Kapri e ka mbyllur gjithçka për anëtarët e Federatës Shqiptare të Taekuondosë me një kërkesë.
“Besoj se analizën e veprimtarisë së fundit e keni bërë dhe ju vetë dhe pa gjithë këto parregullsi që unë kam konstatuar, – ka theksuar ai. – Por ajo çka është më e rëndësishme në punën tonë është mesazhi që ne marrim nga njerëzit, të cilët na mbështesin dhe na besojnë fëmijët e tyre. Nëse ju, prindërit e sportistëve tuaj janë larguar me përshtypjet më të mira nga aktiviteti i fundit i organizuar nga FSHT, atëherë ju kërkoj ndjesë për kohën që ju mora.”
“Nëse është e kundërta, atëherë duhet të reflektoni pasi jemi ne ata që derdhim djersë çdo ditë në punën tonë dhe askush nuk duhet të vras ëndrrat e sportistëve tanë”, – ka përfunduar specialisti i taekuondosë. Kësisoj Federata Shqiptare e Taekuondosë “World” është vënë përsëri nën akuzë nga Leo Kapri…