AlbanianSport.com 06.05.2016 22:05
ASNN – “Top Tirana Open”, turneu ndërkombëtar i Taekuondosë në versionin “World”, i cili këtë vit ka edicionin e tij jubilar, atë të 5-të, po kapërcen të gjitha pritshmëritë përsa i përket pjesëmarrësve.
Organizatori i këtij turne, kreu i Klubit të Taekuondosë “Top Gym Sport”, Leo Kapri, ky turne është shndërruar në pak vite në turneun madhor të këtij sporti në Shqipëri, madje edhe të gjithë arteve marciale, si dhe po synohet edhe shndërrimi i tij në një turne të rëndësishëm ndërkombëtar.
Ky turne do të mbahet të shtunën, më 7 maj 2016, në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet dhe në të janë regjistruar afro 500 sportistë pjesëmarrës. Ndonëse nisi si një turne modest kombëtar, “Top Tirana Open” tanimë i ka kapërcyer kufijtë e Shqipërisë, duke u shndërruar gjithnjë e më tepër në një turne madhor ndërkombëtar.
“Në fakt, ne ishim në “siklet”, sepse, si rrallëherë në një veprimtari sportive në Shqipëri, numri po projektohej të kalonte 600 sportistë, çka në fakt do të paraqiste një sfidë logjistike dhe organizative për ne”, – ka thënë Kapri, duke folur për AlbanianSport.com.
Natyrisht që sportistët shqiptarë përbëjnë një pjesë të mirë të pjesëmarrësve, por përtej trojeve shqiptare në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, këtë vit do të marrë pjesë edhe një numër të madh konkurrentësh nga Greqia, por edhe nga Italia, nga Serbia, madje edhe nga Izraeli.
“Në fakt, një pjesë e mirë e tyre kanë mbërritur të shtunën në mbrëmje në Tiranë, ndërsa të tjerët pritet të mbërrijnë nesër në mëngjes, kur edhe do të bëhet edhe regjistrimi, për të vijuar në ora 10:00 me nisjen e garave”, – përfundon ai.