Gjergj Vyshka 13.01.2016 07:05
Shqiptarët e Taekuondosë (World) duket se do të jenë pa “kokë” drejtuese në turneun kualifikues për në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”. Sepse pas dorëheqjes së Leonidha Kaprit, i cili ishte në rolin e drejtuesit dhe të trajnerit të ekipit kombëtar, kjo për arsye ekonomike, ka ardhur edhe tërheqja për arsye personale e menaxherit të delegacionit Elvis Vulka.
Vulka vetë ka shpjeguar se më 15-16 janar nis kursi special për Administratorët Sportiv, pjesë e së cilës është dhe ai, e për rrjedhojë e ka pasur të pamundur për të shkuar në Stamboll. Në këto kushte, tre sportistët Demneri, Aliu dhe Çekaj rrezikojnë të humbasin shansin e pjesëmarrjes në këtë turne edhe sepse, të paktën deri në mesditë, nuk është bërë as regjistrimi i tyre në turne.
Regjistrim që kërkonte një pagesë financiare, që me shumë mundësi mund të jetë bërë nga sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Taekondosë, Arben Markaj. Por askush nga pjesëtarët e delegacionit që do të shkojnë në Stamboll nuk ishin të sigurt për këtë gjë. Parë kështu, taekondoja shqiptare është në prag skandali, gjithnjë nëse sportistët nuk do të arrijnë të marrin pjesë në këtë turne kualifikues për në Olimpiadë.