AlbanianSport.com 02/01/2018 11:35
ASNN – Në një kohë që lojtarë e trajnerë po e kritikojnë, përtej përpjekjeve të tij, por edhe klube të ndryshme, si Sentrëll Kost Meriners në Australinë e largët, po refuzojnë ta pranojnë Jusein Bolt në gjirin e tyre, duke pasur dyshime rreth aftësive të tij teknike për të luajtur futboll, një lajm i papritur vjen nga atdheu i rekordmenit të sprintit në 100 e 200 metra.
Federata e Futbollit e Xhamajkës e ka ftuar Jusein Bolt në përfaqësuesen e saj dhe ky përbën jo vetëm lajm të rëndësishëm, por edhe një mundësi që futbollisti të shkruajë historinë për vendin e tij me një paraqitje në skuadrën përfaqësuese të futbollit. Xhamajka nuk ka një skuadër kushedi, por fakti që e fton Boltin në ekip është dëshmi se ai ka personalitet të madh dhe po i jep një mundësi si lojtar profesionist.
“Do të na pëlqente shumë ta shikonim Bolt në një ndeshje zyrtare të përfaqësueses sonë, – u shpreh Presidenti i Federatës së Futbollit të Xhamajkës, Mikael Rikets, – ku do të kishte një vëmendje të madhe të tifozëve dhe mediave. Ai ka një shpejtësi të jashtëzakonshme dhe nëse arrin të përmirësohet fare pak teknikisht mund të jetë pjesë e grumbullimit të përfaqësueses tonë.”
“Është diçka që i bën mirë sportistit dhe vetë ekipit, pasi Bolti ka reputacion të madh”, – përfundoi kreu i organizmit që qeveris futbollin në Xhamajkë, aty ku mesa duket kanë vendosur t’i japin një shtysë ëndrrës së vonshme të bashkatdhetarit të tyre, sprintierit më të madh në historinë e atletikës.