AlbanianSport.com 14/01/2024 12:35
ASNN – Trajneri i Barcelonës, Ksavi Hernandez, e ka pranuar të shtunën se rivalja e përjetshme, Reali i Madridit, është në formë më të mirë, por ka këmbëngulur se skuadra e tij është shumë e fortë dhe mund ta mbrojë trofeun e Superkupës së Spanjës. Sfida e mbiquajtur si “El Clasico” do të luhet të dielën mbrëma në stadiumin “KSU” në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Rijadh, duke nisur nga ora 20:00. Dy gjigandet spanjolle do të përballen sërish në finale të Superkupës, ashtu sikurse edhe vitin e kaluar kur skuadra nga Katalonja fitoi trofeun e parë nën urdhërat e Ksavit.
Barcelona më pas fitoi edhe titullin “kampion” në Spanjë, por në edicionin aktual, skuadra e Ksavit është 7 pikë prapa Realit të Madridit në kampionat. Megjithatë, Ksavi këmbëngul se ai e ka “projektin fitues”. “Do të mundohemi ta dominojmë ndeshjen, ta tregojmë personalitetin tonë, mënyrën se si luajmë dhe ta kemi në zotërim topin, – ka thënë Xavi në konferencën për shtyp të shtunën. – Vijmë në formë më të dobët sesa Reali i Madridit, por kur topi të nisë së rrokullisuri, nuk do të ketë favoritë.” 14-të herë fituese e Superkupës së Spanjës, Barcelona, është e 3-ta në renditjen e kampionatit.
Por ajo pësoi disfata befasuese nga Shahtjori i Donjecku dhe Antverpi në Ligën e Kampioneve, edhe pse është kualifikuar për në turin e 16-shes si kryesuese e grupit të saj. Dhe Ksavi ka këmbëngulur se është i qetë pas suksesit të edicionit të kaluar. “Një tjetër trofe mund të fitohet, – ka thënë ai. – Jam në pozitë më të rehatshme sesa vitin e kaluar. Kemi fituar, kemi treguar se ky është një projekt fitues dhe jam më i qetë. Reali gjithmonë është i uritur për trofe por kjo është Barça e fortë. Jemi në një fazë ideale dhe kjo më jep më shumë motivim dhe do të japim gjithçka nga vetja.”
Ndërkaq, trajneri i Realit, Karlo Ançeloti, ka thënë se mbrojtësi i krahut të djathtë, Dani Karvajal, është i gatshëm për lojë, ndonëse ai nuk u stërvit me shokët e skuadrës të premten. Italiani nuk tregoi nëse Kepa Arrizabalaga apo Andrij Lunini do të jenë titullar në portë. “Nuk dua të jap ndonjë informatë, – ka thënë ai. – Për momentin nuk e di se kush do të jetë titullar e kush zëvendësues dhe mendoj se ata të dy e dinë këtë.” Ançelotti e ka shansin që ta barazojë Zinedin Zidanin si trajneri më i suksesshëm i klubit, ndërsa fitorja do t’ia sillte atij trofeun e 11-të në krye të “Los Blankos”.
Migel Munjoz ka fituar 14 trofe si trajner i Realit të Madridit përgjatë viteve 1960-1974, duke përfshirë 9 tituj “kampion” në “La Liga” dhe dy Kupa, tashmë Liga të Kampioneve. Ançeloti ka thënë se është i kënaqur me shansin për ta barazuar Zidanin, por ka shtuar se gjithmonë synon edhe më shumë trofe. “Trofetë qëndrojnë në dollap, i shikon vazhdimisht. Ato janë kujtime. Por gjëja më e rëndësishme është dita e ardhshme”, – ka përfunduar trajneri i Realit të Madridit, Karlo Ançeloti.