AlbanianSport.com 07/01/2019 11:25
ASNN – Kampionat çudirash! Në Superiore nuk udhëheqin skuadrat që shënojnë më shumë, por ato që pësojnë më pak. Në 8 vjetët e fundit Skënderbeu ishte skuadra më e mirë e futbollit shqiptar. Me lojërat e skuadrës korçare dhe rezultatet e saj janë krenuar tifozët shqiptarë edhe në Ligën e Evropës. Por këtë edicion, Skënderbeu, për shkak të çështjes së sikletshme në KAS pas vendimit penalizues të UEFA-s, e ka humbur grupin cilësor të mëparshëm, ka humbur shkëlqimin dhe është shndërruar në një skuadër të zakonshme në kampionat.
Kur janë mbyllur dy faza të garës dhe pritet të startojë faza përgatitore për të gjitha skuadrat, bilancet vijojnë të prodhojnë lajme befasuese dhe padyshim që ky sezon është i çuditshëm. Jo vetëm për faktin që Partizani ndodhet në vend të parë pa pasur kurrfarë shkëlqimi në lojë, apo që Tirana, e reklamuar në fillim të sezonit si pretendente, ndodhet në zonën e rrezikshme të mbijetesës, por që ky kampionat po prodhon anomali në aspektin sportiv. Dihet që skuadrat që kanë sulmin më të mirë të gërshetuar me mbrojtjen më të mirë kanë premise për titull.
Të paktën teorikisht, por kampionati ynë ka prodhuar në dy fazat e para një surprizë të madhe me dy kryesuesit, Partizanin dhe Kukësin, skuadra tipike që bëjnë lojë mbrojtëse dhe që e kanë ndërtuar suksesin e tyre të bazuar kryesisht në mbrojtje. Ka 3 skuadra që shënojnë më shumë se dy kryesuesit dhe janë Teuta (24 gola), Skënderbeu (20 gola) dhe Tirana (19 gola). Partizani e Kukësi kanë shënuar përkatësisht 19 dhe 18 gola në 18 ndeshje, shumë pak për ekipe që pretendojnë titullin. Këto skuadra janë në krye se kanë mbrojtjen më të fortë, sepse kanë pësuar nga 9 gola secila.
Skuadra me statistika më të çuditshme nuk gjen në ndonjë kampionat tjetër evropian. Të jesh në vend të parë se di vetëm të ruash portën të mos pësosh gol kjo ndodh vetëm në kampionatin shqiptar. Mungojnë sulmuesit, sigurisht, por Kukësi dhe Partizani të tillë kanë strategjinë, sepse në përgjithësi shënojnë një gol dhe më pas kthehen në mbrojtje.
Deri tani strategjia e tyre ka ecur, por si do të shkojë gara në dy fazat e tjera kjo mbetet për t’u parë. Fakti që Kukësi mori Vasil Shkurtajn të bëjë diferencë është dëshmi se verilindorët e ndjejnë se nuk del “kampion” vetëm duke u mbrojtur.
Kurse Partizani po bën ping-pong me emra të huaj, pa bërë ndonjë blerje që bën diferencë, gjë që do të sjellë përkeqësim të situatës nëse nuk do të reflektojë në kohën e duhur. Për krahasim, duke marrë në konsideratë një kampionat të fortë e profesionist siç është Premier Liga angleze, dy skuadrat e vendeve të para, Liverpuli dhe Mançester Siti, në 21 javë garë, kanë shënuar përkatësisht 49 dhe 56 gola. Ndërsa kanë pësuar respektivisht 10 dhe 17 gola. Pra raporti mes sulmit dhe mbrojtjes është 5/1 për skuadrën e Klopit dhe 4/1 për ekipin e Guardiolës.
Kurse Partizani dhe Kukësi e kanë këtë raport fiks 2/1. Kjo diferencë tregon qartë anomalinë e një kampionati ku ligjin e bëjnë “mbrojtjet”.