Gjergj Vyshka 14.05.2016 09:35
Superiori është rikonfirmuar kampioni i Shqipërisë në basketboll për të rinj, ndërsa në një finale pa shije dhe pa pikë rivaliteti ka arritur që ta “shkeli me këmbë” Tiranën. Kjo jo për diferencën e pikëve, që në përfundim ishin 27 pikë, por për nivelin e lojës dhe shpërndarjen totale të saj në të gjithë skuadrën.
Tek Tirana dje nuk ka mjaftuar as Lilaj, që me 30 pikë nga 48 në total për bardheblutë ka realizuar treçerekun. Sepse as Hysa e as Koko nuk kanë qenë në ditën e tyre më të mirë. Pa thënë që Boraj e Ismaili, apo dhe pjesa tjetër e ardhur nga stoli nuk e ndihmonin dot Tiranën që të rivalizonte.
E parë kështu humbja jo vetëm që është pranuar nga bardheblutë, por shefi i klubit, Spiro Koleka, shkon dhe më tej kur thotë që Superiori ishte një skuadër e kompletuar në të gjitha planet. “E megjithatë dhe mbërritja deri në finale ishte sukses për ne”, – thotë Koleka.
Trofeun e kampionëve Superiorit të trajneres Ledina Koçi ia ka dorëzuar anëtari i kryesisë së Federatës Shqiptare të Basketbollit, Edmond Biçoku, së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm Korab Llazani.