Gjergj Vyshka 19.03.2016 08:45
Superiori ia ka gjetur marifetin Ardhmërisë dhe për herë të parë këtë sezon e ka mundur dje në mbrëmje në “Asllan Rusi”. Dhe të paktën për një javë, teksa skuadra e Eduard Çarçanit e ka mbyllur fazën e tretë në Kategorinë e Parë, Superiori do të jetë kryesuese e nivelit të dytë të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Meshkuj. Sepse për hir të së vërtetës, edhe pse ka pësuar humbjen e dytë të sezonit dje, Ardhmëria Basket e ka dhe një ndeshje për të luajtur, teksa do të presë në fushën e vet Elbasanin.
Që do të thotë se do të kthehet ndoshta përsëri në vendin e parë. Në krahasim me dy ndeshjet e para, të cilat Ardhmëria e Afrim Bilalit i ka fituar 47-35 dhe 61-47, këtë herë duket se nuk ka vlejtur shumë eksperienca e lojtarëve të kësaj skuadre. Përtej shpirtit të lartë të garës së Shahinit, apo dhe Hoxhës, deri diku dhe Merkajt, ndonëse në dy pjesët e dyta të lojës më shumë ka qenë në hije, e gjithë pjesa tjetër e ka pasur të pamundur të përballojë Superiori.
Një mbrojtje e fortë, por dhe sulme të shpejta, duke mos gabuar në asnjë drejtim. Dhe në këtë drejtim skuadra e Çarçanit të 65 pikët e shënuar i ka pasur të shpërndarë në të 9 lojtarët e aktivizuar. Që do të thotë se askush nuk ka mbetur pa shënuar. Një ndeshje që ka tërhequr vëmendjen e shumë specialistëve të koshit, por dhe të shumë tifozëve që krijuar një atmosferë të denjë edhe për një ndeshje të Kategorisë Superiore në basketboll për meshkuj.
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Meshkuj
Kategoria e Parë
Java e 14-të
(18-19 mars 2016)
Të premten:
Ardhmëria Basket – Superiori 63-65
Skënderbeu pushim
Të shtunën:
Elbasani – Tirana Eagles ora 12:00
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Psh-Pp Pikë
- Superior 12 9 3 871-645 21
- Ardhmëria 11 9 2 796-560 20
- Elbasani 10 7 3 767-645 17
- Skënderbeu 11 1 10 597-779 12
- Tirana Eagles 10 1 9 458-733 11