AlbanianSport.com 25.10.2014 21:05
ASNN – Më 16 qershor 2007 drejtuesit e klubit të Burrelit kanë mësuar lajmin që e prisnin prej 10 muajsh. Skuadrës iu fal dënimi i dhënë nga komisionet e FSHF-së dhe iu dha e drejta të luajë aty ku ishte sezonin e mëparshëm. Pas dhunës së ushtruar mbi shefin e garave, Sulejman Mema, në përballjen Burreli-Erzeni, Komisioni i Disiplinës vendosi ndëshkimin e skuadrës matjane duke e zbritur një kategori më poshtë. Ish drejtuesit e klubit nuk iu bindën këtij vendimi dhe e dërguan çështjen në Komisonin e Arbitrazhit Sportiv Tiranë.
Ky i fundit vendos që Burreli të rikthehet aty ku luante më parë, në Kategorinë e Parë. Mirëpo Federata Shqiptare e Futbollit nuk i bindet vendimit të KAS-it shqiptar dhe e dërgon çështjen në Këshillit e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë. “Ne, – i thanë matjanët KAS-it të Lozanës, – nuk kemi pasur asnjë faj për ndëshkimin që na dha Federata e Futbollit. 90 minutat e takimit me Erzenin përfunduan pa asnjë problem. Pas ndeshjes vërtetë ndodhi incidenti tashmë i njohur me shefin e garave, por ne jo vetëm e dënuam aktin, por njëkohësisht vajtëm në shtëpinë e Sulejman Memës dhe i kërkuam ndjesë, paçka se këtë gjë e kishim bërë me anë të mediave disa herë”.
Presidenti i futbollit të Burrelit, Murat Koliqi, asokohe deklaronte: “Gjej rastin të falënderoj nëpërmjet medias gjyqtarin e Arbitrashit Sportiv të Lozanës, Bernard Hanotiau, i cili kishte në dispozicion të gjitha provat që ne kishim dorëzuar në KAS-in shqiptar. Provat filmike ishin të pakundërshtueshme. E falënderoj këtë gjyqtar për vendimin e drejtë, të paanshëm, transparent që dha na favor të Burrelit”. Dhe në këtë shembull duhet të besojë dhe Federata Shqiptare e Futbolit për të kërkuar drejtësinë e munguar nga UEFA në ndeshjen me Serbinë.