Gjergj Vyshka 25.01.2016 13:20
Aktualisht, ashtu sikurse ka pranuar dhe i pari i basketbollit shqiptar, Avni Ponari, asnjë impiant në vend nuk plotëson kushtet e kërkuara nga Federata Evropiane e Basketbollit. Dhe institucioni shqiptar ka marrë përsipër gjobat e ndërkombëtarëve për të mos lënë pa marrë pjesë kombëtaret e të rriturve dhe të rriturave në arenën ndërkombëtare. Por për t’i minimizuar ato është menduar që të shkohet në Shkodër. Ponari e ka pasur tolerancë zero përsa u përket gjobave që do të vijnë. Duke e ditur që infrastruktura është e dobët, Ponari me tolerancën zero ka thënë se të gjitha gjobat që do të vijnë nga ndërkombëtarët do t’i kalohen Ministrisë së Arsimit dhe Sportit që t’i paguajë.
“A mund të zhvillohen ndeshjet në “Asllan Rusi”, i ftohtë në dimër dhe i ngrohtë verë? – ka thënë presidenti i Federatës Shqiptare e Basketbollit, në një rrëfim ekskluziv të hënën për emision “Skaner” të televizionit informativ shqiptar, “Ora News”. – Gjobat i vijnë Federatës në një kohë që nuk krijon as terrene e as infrastrukturë. Në total ne kemi një buxhet 100.000 euro. Por kemi fatin e mirë që të gjithë detyrimet janë likuiduar, ndërsa sot Federata nuk ka asnjë debit”. Ponari pranon se shkaku i burokracive ka qenë pengesa për të marrë Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”. “Ajo funksionon si SH.A ku një pjesë është në Ministrinë e Ekonomisë, një pjesë në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, një pjesë në Bashkinë e Tiranës”, – ka thënë ai.
“Ne mund ta marrim vetëm nëse do të na jepet me vendim qeverie, – ka vijuar Ponari. – Vetëm me Maqedoni janë 200 pallate sporti e luhet nga mëngjesi deri në darkë. 15.000.000 euro, 10.000 vende të ulura Pallati i Sportit në Shkup”. Dhe është i prerë në atë që thotë: “Gjobat do t’ia kalojmë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit t’i paguajë, ndërsa e dinim se po të mos merrnim pjesë, do të na thonin “pse nuk merrni?”!. Është një formë për të sensibilizuar për rikonstruksionin e “Asllan Rusit”, sepse shtatët ekipet kombëtare po luajnë jashtë”. Dhe Ponari tregon se edhe më 24 shkurt në Italisë për femra, ndonëse është konfirmuar “Asllan Rusi”, do të luhet në Shkodër.
“Sepse gjobat atje nuk janë ekuivalente me Asllan Rusin dhe plotësohet largësia 80 kilometra nga Aeroporti “Nënë Tereza” i Rinasi, – ka theksuar kreu i organizmit që qeveris basketbollin shqiptar. – I kemi bërë të gjitha, letër qeverisë, kryeministrit dhe ministres Nikolla. FIBA dhe Sekretari i Përgjithshëm ka takuar Nikollën. Nëse ka vullnet luajmë më 24 shkurt në Asllan Rusi”. Ponari ka treguar se është kërkuar Pallati i Sportit, por nuk janë gjetur hapësirat ligjore. Pa thënë që nëse Shqipëria do të kishte atë Pallat Sporti, një apo dy grupe eliminatore të moshave do t’i kishte në vend që do të sillnin më shumë fitime për vendin.