Adriatik Balla 02.07.2015 15:50
Xherdan Shaqiri refuzon të kalojë në Premier Ligën Angleze, edhe pse Interi dëshiron ta shesë tek Stouk Siti për 17 milionë euro. Nga sa kuptohet, skuadra italiane është e pakënaqur me shqiptarind he dëshiron ta largojë, por dje vonë pasdite Shaqiri refuzoi. Sipas mediave italiane, historia mes Interit dhe Xherdan Shaqirit e nisur me aq entuziazëm janarin e kaluar, mund të ketë mbërritur në ditët e saj të fundit.
Në drejtim të futbollistit të lindur në Gjilan mbërriti në orët e mesditës një ofertë e Stouk Sitit. Klubi anglez kërkon blerjen përfundimtare të kartonit të Shaqirit dhe ka shfaqur gatishmërinë për t’i vënë në pjatë për të Interit 17 milionë Euro plus bonuset. Një shifër e rëndësishme të cilën Interi po e merr seriozisht në konsideratë, edhe pse Shaqiri shpesh është etiketuar si një ndër lojtarët ku mbështetet projekti i së ardhmes.
Pengesa më e rëndësishme për realizimin e këtij transferimi, siç bëjnë të ditur mediat italiane, është vetë Shaqiri që duket se nuk e preferon destinacionin anglez. Gjithmonë duke iu referuar mediave italiane, disa agjentë të Interit do të takohen me Xherdanin apo personat pranë tij për ta bindur për këtë transferim. Ofertat nga Anglia në fakt nuk janë të reja për Shaqirin pasi për të ka shfaqur interes të fortë dhe Evertoni por futbollisti deri më tani e ka injoruar Premier Ligën, duke preferuar Serinë A dhe futbollin italian