AlbanianSport.com 08/03/2021 17:10
ASNN – Me largimin e Joakim Lëv nga Gjermania në mbyllje të Evropianit të verës, sikundër ndodh rëndom, kanë nisur menjëherë të qarkullojnë emrat e kandidatëve për të marrë stolin e kombëtares pas përfundimit të Evropianit. Hansi Flik, Jurgen Klop dhe Julian Nagelsman janë disa prej emrave. Sigurisht që ai më i lakuari është emri i Flikut, trajnerit që në sezonin e kaluar fitoi gjithçka me Bajernin e Mynihut. Edhe pse Fliky e mohoi para disa javësh një kalim në kombëtare, tani me largimin e Lëvit, zërat për një rikthim të tijin tek 4 herë kampionët e botës janë shtuar ndjeshëm.
Megjithatë, Bajerni i Mynihut, që ka një peshë të madhe në Federatën Gjermane të Futbollit (DFB), nuk pritet ta lëshojë kaq lehtë njeriun që i siguroi 6 tituj brenda një sezoni të vetëm dhe kreu i stolit bavarez mund të mbetet aty edhe pas verës. Ndërkaq, Jurgen Klop, i cili po kalon një moment jo të mirë në Liverpul shihet gjithashtu si një pasardhës i mundshëm i Joakim Lëvit, në stolin e Gjermanisë. Madje mediat britanike kanë projektuar ish-kapitenin Stivën Xherrard si zëvendësues të gjermanit, ndërsa klubi i Liverpulit ka përsëritur së fundmi mbështetjen që i riktheu gjigandes angleze kurorën e Premier Ligës dhe atë të Ligës së Kampioneve.
Joakim Lëv do të largohet nga drejtimi i Gjermanisë pas përfundimit të Euro 2021. 61-vjeçari bëri publik të martën vendimin e tij dhe një nga kandidatët për ta zëvendësuar, Julian Nagelsmani, e nis me një koment për trajnerin që drejton katër herë kampionët e botës prej vitit 2006 konferencën për shtypin përpara takimit me Liverpulit në Ligën e Kampioneve. “Një lajm i trishtë, edhe pse vijon të jetë në detyrë, – ka thënë ai. – Joakimi ka pasur një ndikim të madh në futbollin gjerman, shënoi një epokë fituese dhe që përmirësoi futbollin tonë. Ai ka marrë gjithmonë vendimet e duhura në momente të rëndësishme, vendime aspak të lehta.
“Shpresoj që “Euro 2021” të jetë përmbyllja e lavdishme e përvojës së tij si trajneri i përfaqësueses, deklaroi Nagelsmani, i cili është pyetur edhe në lidhjen e hipotezës së zëvendësimit të Lëvit me Klopin. “Jurgeni është një trajner i jashtëzakonshëm, por mendoj se ai ndihet i lumtur te Liverpuli. E njëjta gjë edhe për klubin, edhe ata janë të lumtur që kanë një trajner si Klop”, deklaroi trajneri i Lajpcigut, Julian Nagelsman, që do të tentojë të shfrytëzojë momentin e vështirë të kampionëve të Anglisë për të vijuar ëndrrën kontinentale.