AlbanianSport.com 13/08/2021 23:55
ASNN – Legjendari bullgar i katalanëve hedh dyshime për çështjen e transferimit të yllit argjentinas. Sigurisht që humbja e njërit klub të madh është përfitimi i një klubi tjetër, që synon të bëhet po aq i madh, por, përtej gjithë bujës që ka krijuar largimi i Lionel Mesit nga Barcelona, ka edhe nga ata që nuk e rrokin dot atë që ka ndodhur dhe kanë versionin e tyre të ngjarjeve. Njëri prej tyre është edhe Hristo Stojçkov, i cili duket se nuk është aspak i qartë për atë që ka ndodhur te Barcelona me yllin argjentinas.
Legjenda bullgare e katalanëve pretendon se në këtë histori ka gënjeshtra dhe të pavërteta të mëdha, por, që, sipas tij, vetëm koha do t’i tregojë. 55-vjeçari, i cili luajti për 7 vjet në dy periudha për Barcelonën, nuk ngurroi të thumbonte drejtuesit e klubit për mënyrën e gabuar në administrimin e skuadrës. “Është diçka e vështirë që të pranosh largimin e Lionel Mesit”, – ka deklaruar për mediat spanjolle, duke vijuar: “Ai ishte legjenda dhe lideri i skuadrës. Ka bërë histori këtu dhe besoj që nuk do të zëvendësohet nga të tjerët.”
“Nuk e kam kuptuar ende se çfarë ndodhi, por, për mua, kjo histori është me shumë të fshehta dhe ka një gënjeshtër të madhe në mes. Nuk e di kur do të zbulohet, por klubi mund të kishte bërë më mirë për ta mbajtur Mesin dhe për ta rinovuar kontratën e tij. Barcelona ka humbur shumë në aspektin sportiv dhe në atë të imazhit. Duhet shumë punë për ta korrigjuar këtë situatë”, – ka përfunduar ish-futbollisti i Barcelonës dhe përfaqësueses së Bullgarisë, Hristo Stojçkov.