Gjergj Vyshka 16.08.2016 09:45
Dëmtimi i Luiza Gegës në tendinin e këmbës së majtë dhe gara jo e mirë në 3000 metra me pengesa, aq më tepër që është nënkampione e Evropës, ka prishur humorin e delegacionit shqiptar. Për më tepër humorin e trajnerit Taulant Stërmasit dhe sportistet, ndërsa janë duke u konsultuar me shumë mjek sportiv të huaj në Rio dhe pas rezonancës mjekësore do të mund të ketë një diagnozë të qartë.
“Jemi tek mjeku së bashku me Lizën, – nis të thotë nga Rio për “Sport Ekspres”, trajneri Stërmasi, – është një tjetër konsultë me një grup italian që kanë ardhur për sportistët elitar mes të cilëve është vizituar dhe medalisti i bronztë në garën e 400 metrave, amerikani Lëshoun Merrit. Akoma nuk kanë dalë me një diagnozë të saktë, pasi duam të sigurohemi mirë.”
“Sot do të bëjmë rezonancën e deri më tani, të paktën sipas mjekëve, nuk bëhet fjalë për këputje të tendinit, – ka vijuar ai. – Pres dhe këtë konsultë me mjekët italian Paolo dhe Kristian dhe më pas e dimë se çfarë do të bëjmë”. Stërmasi rrëfen terapinë e rekomanduar, që është një pushim absolut për dyjave për Luiza Gegën dhe, më pas, fillimi i fizioterapisë.
“Por më shumë detaje për rikuperimin e Lizës do të kemi pas rezonancës magnetike dhe konsultës së fundit tek Qendra “Human Tekar” këtu. Trajtime fizioterapie do të bëjmë dhe këtu derisa të jemi, ndërsa kjo qendër ndodhet jashtë fshatit olimpik e quhet ndryshe Rio 2”, – ka përfunduar trajneri i nënkampiones shqiptare të Evropës në garën e 3,000 metrave me pengesa, Taulant Stërmasi.