AlbanianSport.com 21/11/2018 17:30
ASNN – Ndryshe nga Shqipëria, e cila e mbylli grupin e parë të Ligës C në Ligën e Kombeve në vendin e fundit, me vetëm 3 pikë të marra në 4 ndeshje, me 1 gol të shënuar e 8 të pësuar, Kosova bëri një paraqitje të jashtëzakonshme në grupin e 3-të të nivelit të 4-t, Ligës D, të këtij turne, duke shkëlqyer, sepse siguroi ngjitjen një ligë më lart, pra në Ligën C, dhe njëherësh me një shans në “play-off”-et për të shkuar në fazën finale të Kampionatit Evropian të vitit 2020.
Fitorja e fundit ndaj Azerbajxhanit me shifrat e thella 4-0 dëshmon potencialin në rritje të kësaj skuadre. Natyrisht, brenda Ligës D diferencat që bëri Kosova ishin të mëdha dhe ajo llogaritet si Kombëtarja që shënoi më shumë gola në Ligën e Kombeve, në të katër ligat e saj. Në 6 ndeshje në Grupin 3 të Ligës D, Kosova realizoi 15 gola dhe pësoi vetëm 2 gola. Më shumë gola, Kosova i shënoi në ndeshjen e parafundit me Maltën ku fitoi 5-0 si udhëtuese.
Ndërsa 4 gola i shënoi ndaj Azerbajxhanit në ndeshjen e fundit (4-0). Përfaqësuesja e dytë më efikase në sulm ishte Zvicra e shqiptarëve Xhaka, Shaqiri & co., e cila realizoi në Ligën A plot 14 gola. E pra, ndërsa Shqipëria zhgënjeu, një tjetër skuadër shqiptare shkëlqeu, ku Kosova po shkruan historinë në këtë veprimtari sportive të organizuar nga UEFA, madje mund të ketë shanse reale për t’u kualifikuar për në Evropianin e ardhshëm.