Gjergj Vyshka 06.12.2014 19:50
Nisur nga rezultatet fantastike të peshëngritjes shqiptare në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes për të rritur në Kazakistan, atëherë në mbledhjen e fundit të Komisionit Teknik të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar ishte vendosur që bursa olimpike e mundësit Osman Hajdari të kalonte për peshëngritësen Romela Begaj.
Sigurisht që më parë duhet të merrte miratimin në Komitetin Ekzekutiv të KOKSH, si dhe më pas edhe të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, atje prej ku dalin bursat olimpike. Tashmë gjërat kanë ndryshuar dhe bursa olimpike për Romela Begajn, të paktën për momentin, ka dalë “huq”. Po çfarë është në fakt “stanozololi”?
Stanozololi, të paktën edhe sipas shpjegimeve të mjekëve sportivë shqiptarë, është një hormon sintetik mashkullor. Mund të merret dhe si medikament nga goja, por dhe me injeksione muskulore, ndërsa përgjithësisht jepet për të sëmurët anemik, apo dhe në edemat e trashëguara.
Kurse te kafshët, veterinerët e përdorin kryesisht për forcimin e rritjen e muskujve, prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut, rritjen e dendësisë së kockës, si dhe për hapjen e oreksit të kafshëve. Kjo substancë është e ndaluar në garat sportive, kurse në Amerikë është përdorur kryesisht në garat e kuajve.